Ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion duket se është çështje ditësh. Këshilli i Lartë i Prokurorisë hodhi dje hapin e radhës që afron edhe më shumë konstituimin e këtij organi. Gjatë mbledhjes së djeshme, KLP miratoi dosjet edhe për pjesën e mbetur të kandidatëve të SPAK. Kur nisi procedurat për ngritjen e SPAK dhe miratoi rregulloren, KLP ngriti edhe një Komision të Posaçëm që do të merrej me vlerësimin profesional të secilit prokuror garues. Rreth dy muaj më vonë, të gjitha dosjet e vlerësimit janë gati. Deri dje KLP pati miratuar dosjet vetëm për gjysmën e kandidatëve, por pas mbledhjes së djeshme, të gjithë pretendentët për t’u bërë pjesë e SPAK kanë kaluar në “filtër” nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Këto dosje, pas miratimit në mbledhje, i janë dorëzuar menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. ONM do të vëzhgojë me kujdes të gjitha gjetjet e KLP për kandidatët. Ndërsa KPK do t’i përdorë dosjet e hartuara nga KLP gjatë rivlerësimit për prokurorët që garojnë për SPAK. Pritshmëritë janë që deri në fund të qershorit KPK ta ketë mbyllur procesin e vetingut për të gjithë kandidatët e SPAK. Në total janë 23 prokurorë në garë, të cilët garojnë për 15 vendet në SPAK. Deri tani një pjesë e tyre kanë kaluar në veting dhe një pjesë e tyre edhe janë konfirmuar në detyrë. Bëhet fjalë për kryeprokuroren e Krimeve të Rënda, Donika Prela, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja dhe prokurorët e Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi, Dritan Prençi, Besnik Muçi dhe Edvin Kondili. Në veting ka kaluar edhe Shkëlzen Cena, por për të nuk është marrë ende një vendim.
Tërhiqet nga gara Shkëlzen Cena
Në një moment kur ngritja e SPAK është kaq pranë, prokurori i Dibrës, Shkëlzen Cena vendosi dje të tërhiqej nga gara. Ai paraqiti dorëheqjen e tij pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili e miratoi atë me 10 vota pro. Kujtojmë që Shkëlzen Cena u përball me trupën gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit vetëm pak ditë më parë. Gjatë seancës dëgjimore për të u renditën një sërë problemesh. Cenës iu gjetën pasaktësi dhe probleme me pasurinë e aftësitë profesionale, ndërsa u konsiderua edhe si i papërshtatshëm për të vijuar detyrën sepse dyshohet se është përfshirë në korrupsion pasiv. KPK do ta marrë vendimin nesër për të, por të gjitha gjasat janë që ai do të shkarkohet nga detyra. Mesa duket, kjo e ka nxitur atë që të japë dorëheqjen nga gara për SPAK.
Goditje korrupsionit brenda verës
Tërheqja e Shkëlzen Cenës nga gara nuk e pengon aspak punën për ngritjen e SPAK sepse janë edhe 23 prokurorë të tjerë që garojnë. Me qëllim që konstituimi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion të mos vonojë më shumë, plani i KLP është që fillimisht puna e saj të nisë me më pak se 10 anëtarë e më pas ky numër plotësohet në vijimësi. Kjo do të thotë se mundet që brenda verës ta kemi gati SPAK dhe të nisë lufta kundër korrupsionit në nivele të larta. SPAK ka të drejtë të hetojë Presidentin e Republikës, kryeministrin, ish-kryeministra e ish-presidentë si edhe të gjithë ministrat, deputetët e zyrtarët e tjerë. Pra, çdo pushtetar që është përfshirë në afera korrupsioni do t’i duhet të përballet me SPAK sapo ai të ngrihet. Tek SPAK janë varur të gjitha shpresat për të shfarosur korrupsionin.
Mimoza Ibra