Vendimi i opozitës për të bojkotuar zgjedhjet, por edhe presidentit i cili ç’dekretoi datën e mbajtjes së zgjedhjeve, nuk përbën asnjë pengesë për partitë që do të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Partia Bindja Demokratike do të jetë partia që do të kandidoj përballë PS në disa bashki të vendit. Ndërkohë që, dje themeluesi i kësaj partie, Astrit Patozi u shpreh se Shqipëria nuk mund të rrijë peng i tekave të politikanëve, duke shtuar se akti i Metës nuk ka referenca kushtetuese, por politike. Gjatë një prononcimi për mediat, Patozi deklaroi se në kushtet e krizës në vend do të ishte i nevojshëm edhe qëndrimi i ndërkombëtarëve, duke shtuar se në çdo situatë krize kanë qenë institucionet ligjzbatuese që e kanë zgjidhur. “Presidenti është i detyruar të jetë strikt i Kushtetutës dhe nuk mund të ketë një analizë apo një opinion të situatës. Ne kemi qasjen tonë që ç’dekretimi nuk është kushtetues. Por tek e fundit nuk jemi ne që e vendosim. Ata që do ta vendosin se cila do të jetë data e zgjedhjeve janë institucionet shqiptare dhe faktori ndërkombëtar. Ne e kemi zgjedhur vetë që të marshojmë nga BE dhe sigurisht që do të presim edhe qëndrimin e tyre. Sot, shoqëria shqiptare është ndarë lidhur me ç’dekretimin e Presidentit. Shqipëria nuk mund të rrijë peng i tekave të politikanëve. E vërteta është vetëm një dhe këtë nuk e ndajnë partitë. Të vërtetën e ndajnë institucionet, këto që janë. Edhe në momente krizash edhe më të mëdha se kjo aktuale kanë qenë institucionet që kanë zgjidhur situatën”, deklaroi Patozi. Më tej, kreu i BD deklaroi se mungesa e Gjykatës Kushtetuese nuk ka krijuar asnjë ngërç, duke shtuar se edhe nëse ky institucion do të ishte funksional nuk do të vendoste mbi datën e zgjedhjeve, pasi këtë vendim ia ka lënë Kolegjit Zgjedhor. “Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese janë institucionet e tjera. Mungesa e GJK është e përkohshme. Institucionet shqiptare nuk mund ta konsiderojnë këtë si një mënyrë për të çuar deri në fund zullumin e tyre. Por në kushtet e datës së zgjedhjeve, kjo gjykatë është shprehur vite më parë se nuk është tagri i saj për të vendosur për zgjedhjet, duke ia lënë këtë Kolegjit Zgjedhor”, nënvizoi Astrit Patozi.