Nis puna për ngritjen e grupeve të shpëtimit kombëtar, deputetët dhe krerët e degëve të PD diskutime me bazën për planin e sulmeve kundër zgjedhjeve

    0
    360

    Partia Demokratike është e vendosur për ta çuar vendin në zgrip. Dy ditë më parë kreu i PD, Lulzim Basha miratoi në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të PD ngritjen e “Aleancës së qytetarëve” që do të marrin në dorë mbrojtjen e demokracisë. Këto “komitete”, sipas platformës së miratuar në forumin më të lartë drejtues demokrat, do të ngrihen në 61 bashkitë e vendit. Por kur kanë kaluar vetëm 24 orë nga miratimi i kësaj aleance, zyrtarët më të lartë të Partisë Demokratike kanë nisur takimet në bazë. Sipas informacioneve, mësohet se në disa bashki të vendit dje ish-deputetët dhe krerë degësh kanë zhvilluar mbledhje me anëtarët demokratë duke iu kërkuar që të nisin përgatitjet për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit. Madje, i njëjti burim theksoi se këto komitetet të ngritur nga Basha me bekimin e Berishës, do jenë identik si paramilitarët e Berishës që më 1997 luftuan në Jug. Kështu, mësohet se në këto takime ka nisur puna duke rekrutuar grupe të fortësh, të cilëve iu është kërkuar që të mbrojnë demokracinë në të 61 bashkitë e vendit, e cila rrezikohet nga mazhoranca qeverisëse. Po ashtu, mësohet se pjesëtarët e këtyre komiteteve janë porositur që të nisin shantazhet dhe presionet ndaj qytetarëve duke ua bërë të qartë se nuk do të lejohen, madje nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor, pasi vendi do të shkojë në tym e flakë. Nga ana tjetër, mësohet se zyrtarët demokratë kanë porositur pjesëtarët e komiteteve që në çdo takim që do të kenë me qytetarët dhe militantët tua bëjnë të qartë se dhuna gjatë këtyre ditëve, e cila pritet të kulmojnë në 30 qershor është e justifikuar, pasi jovetëm që po mbrojnë demokracinë dhe votën e lirë, por edhe dekretin e Presidentit Ilir Meta, i cili është shprehur se nuk ka zgjedhje. Pra, demokratët dhe këto grupe mercenarësh do të përdorin si alibi anulimin e zgjedhjeve dhe zhvillimin e votimeve nga mazhoranca, pavarësisht se Meta e dekretoi 30 qershorin, për ta kthyer vendin në vitin e mbrapshtë 1997. Thënë më troç, këto komitetet që po ngre Lulzim Basha, pas të cilit qëndron Sali Berisha, në 61 bashkitë e vendit kanë vetëm një mision çuarjen e vendit në përplasje civile dhe shkatërrimi i zgjedhjeve të 30 qershorit. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

    Grabitet KZAZ e Rrogozhinës

    Sinjalet se zgjedhjet lokale të 30 qershorit do të zhvillohen në një klimë të tensionuar politike janë dhënë prej disa ditësh. Nga njëra anë është mazhoranca, e cila ka shprehur vendosmërinë se këto zgjedhje do të zhvillohen, duke paralajmëruar se kushdo që prek votat do të dalë para ligjit. Ndërsa nga ana tjetër janë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë paralajmëruar dhunë gjatë zgjedhjeve vendore. Por ditën e djeshme kanë nisur sulmet dhe kërcënimet e para. Persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar qendrën e kulturës në Rrogozhinë, e cila shërben si KZAZ në këtë qytet. Sipas informacioneve, punonjësit e policisë kanë konstatuar se agresorët kanë thyer fishekun e brendshëm të derës hyrëse të kësaj godine, ndërkohë që po punojnë për identifikimin e autorëve që kanë kryer këtë sulm. Mirëpo, pavarësisht se nuk ka ende një pistë zyrtare, dyshimet janë se pas këtij sulmi mund që fshihet opozita. Madje, një fakt i tillë është paralajmëruar edhe pak ditë më parë, kohë kur PD dhe LSI tentuan që të kishin përfaqësues të tyre në KZAZ. Por ky plan i tyre dështoi, pasi Kolegji Zgjedhor nuk pranoi kërkesën e opozitës joparlamentare për t’iu dhënë të drejtën për të pasur përfaqësues në KZAZ. 

    Rigels Seliman

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here