Juristi Romeo Kara ka shpërthyer ditën e djeshme në sulme dhe akuza në adresë të Presidentit Ilir Meta, pas anulimit nga ky i fundit të datë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Kara teksa rendit një sërë arsyesh se si Meta ka shkelur Kushtetutën, deklaroi se ai nuk mund të nxjerrë dekreti sipas qejfit, pasi nuk ka tagër. Sipas tij, Meta është në kushtet e padijes që nuk beson as veten e vetë. “Kur s’ke turp të gjitha i bën, shkel Kushtetutën dhe ndërkohë hiqesh për trim dhe i ndershëm dhe bën karshillëk edhe pse kurrkush, biles as vetja e tij, nuk beson në asnjë fjalë nga ato që thotë. Aq sa pres hajër nga shejtani, aq kam pritur hajër nga Ilir Rexhep Meta, por shpirti të lëviz vendit kur kryehorri i këtij vendi të sfidon edhe pasi i hoqi tullën e fundit stabilitetit të vendit, vend të cilin ai e ka rrjepur sistematikisht, e mban peng dhe e bën fli sa herë ia kërkon interesi atij. Ustai i gjithë të zezave, i pangopuri Like, ka humbur çdo lidhje me realitetin, të cilin e sheh me sytë e Fahriut, dhe mban një leksion përrallash në konferencë për shtyp, duke na lënë të kuptojmë se ai, ose ka konsideratë tepër të lartë për logjikën e tij, ose mendon se, përballë tij ka vetëm qenie pa vetëdije dhe pa inteligjencë. Çfarë bëri në të vërtetë pehlivani Meta? Ai bëri pikërisht të kundërtën e asaj që thotë ligji, kapërceu kompetencat e tij kushtetuese, veproi arbitrarisht, i dha të drejtë vetes të kthejë dëshirat e tij joligjore në ligj nëpërmjet dekreteve, praktikisht u kthye nga një zbatues i ligjit në ligjvënës dhe sundues, duke u bërë vetë ligji dhe duke shkelur barazinë përpara ligjit”, deklaroi ai. Më tej, juristi Romeo Kara akuzoi Presidentin Ilir Meta se i ka shkaktuar shumë vuajtje vendit, duke theksuar se ai e ka vendin në burg. “Likja nuk është trim se është i drejtë, por Likja është trim se këtu nuk ka drejtësi dhe se ky shtet është i kapur peng nga ai dhe të tjerët si ai. Likja është trim se e di që përballë ka një njeri demagog frikacak dhe të ngelur peng në gjynahet e tij, që mund të bëjë çdo gjë, por kurrë që të përballet dhe bëjë shtet. Likja është trim se e futi me sukses vendin në rebusin Kushtetutë-Gjykatë Kushtetuese dhe çdo lëvizje kundër tij, do të jetë e pambështetur ligjërisht nga vetë fakti se mungon Gjykata Kushtetuese”, nënvizoi juristi Romeo Kara.