Fundoset Lulzim Basha, belgët kërkojnë të merret në pyetje për “Toyota Yaris”, dyshime se kreu i PD ka dijeni për 3.4 mln eurot

0
455

Shtohen telashet për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Teksa për të ka një hetim të hapur për çështjen e lobimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe financimin rus në të, edhe kapja e 3.4 milionë eurove në Durrës në dy makina “Toyota Yaris” po i hap probleme kreut të PD. Kjo ngjarje shkaktoi një debat shumë të gjerë publik në qershor të vitit 2018 sepse operacionin e policisë në Durrës e dekonspiroi Lulzim Basha. Nga salla e Parlamentit ai akuzoi kryetarin e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla se ishte ai që kishte porositur paratë në një makinë “Toyota Yaris”. Por teksa ka kaluar një vit nga ngjarja dhe mes Ballës dhe Bashës u mbajtën disa seanca gjyqësore për shpifje, autoritetet belge kanë vendosur të tronditin liderin demokrat. Kjo çështje po hetohet në Shqipëri, por edhe në Belgjikë, duke qenë se makinat me shumën e parave brenda ishin nisur nga shteti belg. Në kuadër të hetimeve atje, një gjykatë belge i ka kërkuar prokurorisë shqiptare që të pyesë për llogari të saj edhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha se nga e kishte mësuar informacionin për makinën me para. Kjo kërkesë ka mbërritur për autoritetet shqiptare qysh në datën 22 maj.

3 pyetjet e Belgjikës për kreun e PD

Gjyqtari belg, Laurence Heusghem i ka kërkuar dy prokurorëve të çështjes që t’i bëjnë tre pyetje kreut të PD. Ata kërkojnë të dinë nga Lulzim Basha sesi u informua për sasinë prej 3.4 milionë eurot, cilat ishin informacionet ekzakte që kishte si edhe kush ja dha këtë informacion, kush ishte burimi i tij? Kërkesa e Belgjikës po trajtohet nga dy prokurorët e çështjes dhe nuk dihet se si do të veprohet pasi Lulzim Basha është pyetur nga Prokuroria e Tiranës në tetor të 2018 për këtë çështje. Pra mbetet të shihet nëse ai do të pyetet sërish apo jo. Nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda pret dy letër-porosi. Një letër-porosi duhet të vijë nga Britania e Madhe dhe të japë më shumë detaje për ngjarjen sepse një prej të dyshuarve rezulton të jetë i dënuar atje. Ndërsa letër-porosia tjetër pritet nga Gjermania, nga e cila pritet të merren informacione për mënyrën se si janë transportuar dy makinat “Toyota Yaris” me 3.4 milionë euro brenda drejt Shqipërisë. Përveç kërkesës, mësohet se autoritetet belge kanë nën hetim 12 persona, të cilët janë: Elvis Vladi, Alfred Vladi, Edi Lika, Klejdi Cani, Alban Mollaymerit, Agim Ceka, Albana Vladi, Imam Imami, Alban Imami, Arianit Nimani, Drita Sopi dhe Dritan Hakaj. Qoftë çështja e lobimeve në SHBA, ashtu edhe ajo e 3.4 milionë eurove në “Toyota Yaris” duket se do t’i hapin telashe Lulzim Bashës. Për lobimet dhe financimet ruse ka hetime në SHBA, Skoci dhe Shqipëri. Ndërsa për “Toyota Yaris” po hetohet si në vendin tonë, ashtu edhe në Belgjikë. Fakti që në lojë janë edhe autoritetet e huaja, do të thotë se Lulzim Basha nuk i ka fort mirë punët me drejtësinë.

Deklarata që i “hapi punë” Bashës

Nga foltorja e Kuvendit, kryedemokrati akuzoi drejtpërdrejt Taulant Ballën se ka porositur një makinë “Toyota Yaris” me para brenda. “Ai që zgërdhihet më shumë aty ishte edhe para tre ditësh në Gjermani. Të kanë zbuluar “Toyota Yaris” o zgërdhitës me 1,5 milionë euro të drogës brenda, vazhdo qesh zgërdhitës. Shkonte në Gjermani ju thoshte ne s’kemi probleme, s’kemi drogë, korrupsioni po luftohet”, tha Lulzim Basha në 2018. 3 ditë më vonë policia ndërmori një operacion në Durrës dhe kapi 3.4 milionë euro në dy makina “Toyota Yaris”. Duket se kjo deklaratë i ka hapur punë Lulzim Bashës sepse dekonspiroi operacionin e policisë.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here