Rama zbulon të fshehtat, PD-LSI kërkuan pazare për reformën në drejtësi, ja si presidenti i shpëtoi rigjykimit për bllokun 700 mijë eurosh

0
347

Vendimi i presidentit Ilir Meta për të shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit ka ndezur dje debatet politike. Kreu i shtetit doli që herët në mëngjes në konferencë shtypi, ndërsa kryeministri mblodhi Kryesinë e PS dhe më pas zhvilloi një takim për rreth 1 orë e 30 minuta me ambasadorët e vendeve të BE dhe zv/ambasadoren e SHBA. Gazeta ka mësuar detaje nga të dyja këto takime, ku kryeministri është shfaqur mjaft i indinjuar nga lëvizja e presidentit. Në Kryesi, Rama ka deklaruar se PS do i mbajë zgjedhjet më 30 qershor, ndërsa ka bërë të ditur se Meta me këtë lëvizje firmosi fundin e tij. Rama ka kërkuar që të nisin procedurat e shkarkimit të Metës. “Ne jemi republikë parlamentare, jo presidenciale. Ndaj asgjë nuk na ndal të vijojmë përpara me 30 qershorin. Të enjten do të zhvillojmë një debat shumë të gjatë parlamentar. Të shpalosim të gjitha argumentet kundër këtij vendimi të Presidentit. E enjtja do të finalizohet me rezolutë për shkarkimin e Presidentit. Duhet të fokusohemi te 30 qershori. Jemi në mes të lojës. Pas debatit, çështja diskutohet në KQZ dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor”, mësohet të ketë thënë Rama. Por një burim i tha gazetës se Rama është ndalur dhe te reforma në drejtësi. Ai u ka thënë anëtarëve se Meta dhe PD-LSI kanë kërkuar pazare për të ndryshuar reformën në drejtësi. Sipas tij, duke qenë se një gjë e tillë nuk është pranuar, ata tani kanë nisur tentativat për të bërë gjithçka që të rrëzohet qeveria dhe të marrin nën kontroll reformën. Për të njëjtën temë Rama ka folur dhe në një takim me ambasadorët. Ai u ka renditur atyre të gjitha argumentet ligjore, duke thënë se presidenti ka shkelur Kushtetutën. Po ashtu Rama ja u ka bërë të ditur se kjo bëhet për shkak të reformës. Ai ja u ka bërë të qartë diplomatëve se PD në platformën që ka nxjerr, në një pikë përmend dhe rishikimin e reformë. Kryeministri ka thënë se qëllimi i tyre është të vijnë në pushtet dhe të ndryshojnë reformën. Më pas Ram është nisur drejt Brukselit ku gjatë dy ditëve do zhvillojë takim me krerët më të lartë, përfshirë dhe Junker.

Ja si u amnistua Meta

Teksa kryeministri Rama ka deklaruar dje se PD e LSI kanë kërkuar pazare, gazeta po tregon se si në vitin 2016 u bë një pazar i tillë. Në 2016 u bë ndryshimi i Kushtetutës dhe bashkë me të u ndryshuan një sërë ligjesh, përfshirë dhe Kodi i Procedurës Penale. Në atë kohë pati një debat për nenin 449, i cili amniston të gjithë të dënuarit. Në këtë nen tashmë, të miratuar thuhet: “Nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit”. Por ndryshimi i këtij neni është bërë i gjithi për Ilir Metën. Në atë kohë presidenti hezitonte të miratonte ndryshmet Kushtetuese dhe kërcënoi madje me dorëheqje. Por gazeta ka mësuar se janë bërë pazare në atë kohë. Neni 449 ka ndryshuar posaçërisht për Metën. Frika e kreut të shtetit ka qenë videoja me Dritan Priftin, ku kërkon 700 mijë euro për një tender. Në atë kohë çështja shkoi në gjykatë dhe Meta doli i pafajshëm. Por sot kuptohet se si ka dalë vendimi, pasi gjithë trupa gjyqësore ka dhënë dorëheqjen nga vetingu. Me Kodin e vjetër ekzistonte mundësia që me reformën në drejtësi e SPAK çështja të rihapej. Por pas ndryshimeve në nenin 449, tani është e pamundur që ajo çështje të rishqyrtohet. Pra Meta është amnistuar.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here