PD përgatitet për “luftë”, ngre grupe në 61 bashki për të bllokuar fushatën dhe zgjedhjet, vendi drejt përplasjes civile

0
320

Partia Demokratike rrezikon të çojë vendin drejt përplasjes civile. Presidenti i Republikës, Ilir Meta nxori një dekret për shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Por mazhoranca është e bindur për të vijuar rrugën drejt 30 qershorit, pavarësisht kërcënimeve të opozitës dhe vendimit të Metës. Gazeta deklaroi dy ditë më parë se strategjia e Metës, ishte për të legjitimuar sulmet e opozitës ndaj qendrave të votimit të dielën e 30 qershorit. Dhe një gjë e tillë është konfirmuar dje. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi disa takime me Kryesinë e Partisë, ish-deputetët dhe aleatët e PD, ku u vendos që të krijohen grupe në 61 bashki, me qëllim moslejimin e zgjedhjeve në 30 qershor. “Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që t’i propozojë Këshillit Kombëtar të PDSH-së, angazhimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar në 61 Bashkitë e vendit për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Kjo Aleancë do të krijohet si bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues”, sqaron Kryesia e PD. Ndërkaq, sipas informacioneve, kryedemokrati Lulzim Basha ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk ka negociata me Edi Ramën kryeministër. Më herët, qëndrimin e Bashës e përqafuan edhe aleatët e tij, me të cilët zhvilloi një mbledhje. Por sipas informacioneve, edhe Partia Socialiste pritet që të ngrejë grupe militantësh për të mbrojtur votimet, vendime këto që do të çojnë palët në përplasje civile. Një tjetër plan i PD është që të bllokojë fushatën e PS, duke zhvilluar protesta në çdo qytet ku do ketë aktivitete kryeministri. Por kjo do të thotë se po shtyhet vendi drejt përplasjes civile, pasi militantët mund të konfrontohen me njëri-tjetrin.

Protestat do vijojnë

Vendimi i mazhorancës për të shkarkuar presidentin Ilir Meta nga detyra ka alarmuar opozitën në vend, e cila po përgatitet për protesta. PS nisi dje procedurat për të mbledhur firmat që nevojiten për shkarkimin e Metës, ndërkohë që debatin për mocion do ta zhvillojë ketë të enjte në seancë plenare. Por menjëherë pas kësaj nisme, ish-deputetët dhe zyrtarë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë nisur sulmet ndaj mazhorancës qeverisëse, duke marrë në mbrojtje presidentin Meta. Kështu, burime nga mbledhjet bënë me dije se në fokus të diskutimeve ka qenë edhe konflikti Meta-mazhorancë dhe aksioni opozitar. Mësohet se është vendosur që të vijohet me protestat kundër qeverisë, ndonëse nuk janë vendosur datat se kur do të jetë tubimi i radhës. Sipas informacioneve, mësohet se opozita ka vendosur që mos lejojë mazhorancën që të finalizojë vendimin e saj për shkarkimin e Metës. Në këtë kuadër mësohet se ditën e enjte, kohë që është thirrur seanca plenare rend i së cilës është debati për Metën, opozita pritet të protestojë para Parlamentit, me qëllim bllokimin e punës, në mënyrë që të mos shkarkohet presidenti. Kjo nuk është hera e parë që një opozita mobilizohet për të penguar punën e Kuvendit, madje kur seanca është tejet e rëndësishme. Pak kohë më parë, opozita protestoi fuqishëm, duke sulmuar dhe dhunuar seancën, gjatë kohës kur në Kuvend po betohej kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku. Ndërkohë që, mësohet se të njëjtën strategji pritet që opozita të bëjë edhe me këtë rast, duke tentuar futjen e militantëve në sallën e seancave plenare dhe shkaktuar kaos e dhunë, në mënyrë që të bllokohet shkarkimi i Metës.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here