Fenomeni i pastrimit të parave vijon të mbetet shqetësues për vendin tonë. Për ta goditur këtë fenomen, qeveria ka ndërmarrë një projektligj, i cili po diskutohet në komisionet parlamentare. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar u diskutua dje në Komisionin e Sigurisë. Gjatë kësaj mbledhjeje u bë me dije se gjatë vitit 2018 janë konstatuar mbi 400 raste të dyshuara për financim terrorizmi dhe pastrim parash, të cilat janë referuar në prokurori dhe polici për verifikime. Sipas raportimit në Komisionin e Sigurisë, këto raste i përkasin organizatave jo fitimprurëse të cilat janë identifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Drejtori i Analizës së Përputhshmërisë pranë Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Agron Muslia, i cili shtoi se rastet i janë referuar Policisë së Shtetit Prokurorisë së Përgjithshme. “Në vitin 2018 janë gjithsej 376 raste, pjesa më e madhe është dërguar në Polici dhe 33 raste janë dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme. Pjesa dërmuese e tyre është për dyshimet që kemi pasur për pastrim të produkteve të veprës penale. Ka pasur edhe raste të dyshuar për financim të terrorizmit”, deklaroi ai. I ftuar për të raportuar në komision ishte dhe Elvis Koçi, Drejtor i Pastrimit të Parave, i cili u pyet dhe për rastin e dy vëllezërve indianë të cilët akuzohen për pastrim parash në vendin tonë. “Ne i kemi përfshirë tashmë në kompanitë e ndërtimit në listën e subjekteve, që janë subjekte raportuese për ne”, u shpreh Koçi. Ndryshimet në ligjin për pastrimin e parave detyrojnë midis të tjerash çdo subjekt që të ketë një llogari bankare për realizimin e transaksioneve financiare. “Paketa e ndryshmeve ligjore që ne kemi përgatitur apo jemi duke përgatitur përfshin edhe ndryshimet në vijim, kemi bërë disa ndërhyrje ligjore në ligjin për Qendrën Kombëtare të Biznesit. Disa ndryshime në ligjin për procedurat tatimore të cilat në mënyrë të përmbledhur synojnë forcimin e detyrimit për deklarimin e të dhënave të pronarëve përfitues në regjistrin tregtar, si edhe detyrimin specifik të personave juridik për të pasur llogari bankare, përmes së cilës të kanalizohen të gjitha transaksionet tregtare. Te detyrimi për të pasur llogari bankare kemi përjashtuar bizneset të cilat nuk janë subjekt i TVSH-së. Në këtë mënyrë forcohet kuadri i monitorimit të pastrimit të parave”, tha zëvendësministri i Financave, Elton Harxhi pak ditë më parë.