Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përmes një letre drejtuar, kryeparlamentarit Gramoz Ruçi kërkon që Kuvendi në mbledhjen e kësaj jave të diskutojë në lidhje me vendimin e Presidentit Meta për të ç’dekretuar 30 Qershorin si datë zgjedhjesh.
Sipas Ballës, ky ishte një vendim absolutisht i pavlefshëm dhe në kundërshtim flagrant me parimet Kushtetuese prandaj duhet që në fund të dalin me një mocion për shkarkimin e Presidentit.
Më herët, në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së PS, zëdhënësja e Qeverisë dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se të enjten Partia Socialiste do të zhvillojë një debat të gjerë në parlament rreth vendimit të Presidentit Ilir Meta për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve më 30 qershor. Spiropali tha se do të vazhdojë procedura për të shkarkuar Metën.
