KQZ injoron dekretin e Metës, 30 qershori mbetet i pandryshuar, reagon Bardhi dhe paralajmëron: Mos u skandalizoni nga shpërdorimi i turpshëm

0
331

30 qershori do të mbetet i pandryshuar. Është ky vendimi që u mor sot në mbledhjen e KQZ drejtuar nga Denar Biba, pasi kryetari Klement Zguri braktisi gjithçka që në krye të herës. Akti administrativ i Presidentit është cilësuar si i pavlefshëm dhe i pazbatueshëm. Anëtarët e KQZ argumentojnë se KQZ nuk ka çfarë të shqyrtojë aq kohë sa nuk ka përpara një tjetër datë zgjedhjesh.

Kësisoj shfuqëzimi i dekretit të Metës, është nul dhe 30 qershori vijon të mbetet data zyrtare e zgjedhjeve lokale. Pas kësaj, 4 anëtarët e propozuar nga PS vazhduan punën me rendin e ditës për zhvillimin e zgjedhjeve sikur asgjë mos kishte ndodhur. Ata u shprehën se ndërkaq, janë bërë shpenzime të mëdha për zgjedhjet dhe injoruan tërësisht vendimin e Metës i cili shfuqëzoi dekretin e tij.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me përjashtim të kryetarit, Klement Zguri refuzon të zbatojë dekretin e Metës për të anuluar zgjedhjet. Për këtë ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i cili tha se “militantet e PS ne KQZ kanë shpërdoruar detyrën”.

Statusi i plotë i Bardhit në facebook

Mos u habisni! Mos u skandalizoni nga shpërdorimi i turpshëm që po i bëjnë detyrës disa anëtarë militantë të PS në KQZ!

Këta që marrin përsipër të shqyrtojnë dhe të refuzojnë një dekret presidencial, janë ekzaktësisht të njëjtët militantë që pohuan përpara Gjykatës Kushtetuese se Kushtetuta mund të ndryshohet edhe me vendim qeverie.

Po të njëjtët, sot, thonë se Dekreti i Presidentit të Republikës shpallet i pavlefshëm me vendim të degës së Partisë Socialiste në KQZ!

Në shtetin e ndërtuar nga Edi Rama nuk ka nevojë as për President të Republikës, as për Gjykatë Kushtetuese, as për Gjykatë të Lartë, as për Prokuror të Përgjithshëm, as për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në shtetin e Edi Ramës, të ndërtuar sipas modelit Orëellian të Fermës së Kafshëve, mjafton vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama!

Kjo është e papranueshme dhe shqiptarët nuk kanë për ta pranuar kurrë! “Edi Rama mirë, gjithë të tjerët keq” ka marrë fund që më 16 Shkurt!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here