Google search engine
Home Politike Drejtesi SPAK pritet të sjellë reprezalje në politikë, KLP mbyll dosjet për kandidatët,...

SPAK pritet të sjellë reprezalje në politikë, KLP mbyll dosjet për kandidatët, tjetër prokuror në skanerin e vetingut

0
367

Politika pritet të tronditet me ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Organi të cilit do t’i besohet goditja e korrupsionit dhe krimit të organizuar në çdo nivel do të jetë gati për punë ditësh. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë angazhuar shumë fort që të mos ketë asnjë pengesë dhe asnjë vonesë. Nga njëra anë, KLP ka mbyllur dosjet për të gjithë kandidatët, ndërsa nga ana tjetër KPK po punon intensivisht për të rivlerësuar çdo prokuror garues. Afati i fundit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për të hartuar aktet e vlerësimit për pjesën e mbetur të kandidatëve të SPAK ishte data 6 qershor. Pra, ka tri ditë që ky afat ka skaduar, çka do të thotë se KLP i ka kaluar në “lupë” të gjithë prokurorët që aspirojnë të marrin në dorë frenat e luftës antikorrupsion. Tani pritet vetëm që KLP të mblidhet, t’i miratojë raportet e përgatitura dhe t’i dorëzojë ato menjëherë pranë KPK me qëllim që të mos ketë vonesa në procesin e vetingut për ta. Sipas rregullores për vlerësimin e kandidatëve të SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet t’i kishte mbyllur më herët dosjet për ta. Por duke qenë se puna ka qenë shumë voluminoze dhe kërkimet për garuesit janë kryer shumë të imët për të zgjedhur më të mirët në SPAK, KLP u detyrua ta shtyjë afatin me 3 javë. Afati përfundoi në datën 6 qershor, çka do të thotë se kjo fazë e rëndësishme e punës është mbyllur. Tani gjithçka është në dorë të KPK, që të skanojë të gjithë kandidatët brenda qershorit, për t’i hapur rrugë ngritjes së SPAK.

Enkeleda Millonai në skanerin e vetingut

Teksa Këshilli i Lartë i Prokurorisë po punon intensivisht për konstituimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, as Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk po rri duarkryq. Prej disa ditësh KPK ka nisur seancat dëgjimore me kandidatët e SPAK. Tre të parët që kanë hyrë në veting nga ata për të cilët KLP i kishte përgatitur dosjet janë prokurori i Dibrës, Shkëlzen Cena dhe dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili. Dy të fundit u konfirmuan në detyrë, ndërsa Cena është ende pa vendim. Pas tyre, në “sitë” do të kalojë kryetarja e Prokurorisë së Elbasanit, Enkeleda Millonai, e cila po ashtu kandidon për SPAK. Seanca për të do të mbahet në datën 13 qershor në orën 09:30. “Subjekti: Znj. Enkelejda Millonai drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Elbasan. Vendi: Pallati i Koncerteve (ish-Pallati i Kongreseve), Salla B, Kati 0. Trupa Gjykuese: Pamela Qirko, Brunilda Bekteshi, Roland Ilia”, thuhet në njoftimin e KPK. Komisionerët e vetingut i kanë mbyllur hetimet për të gjithë prokurorët që kandidojnë për në SPAK, ndërsa tani priten vetëm seancat dëgjimore. Ky proces, sipas burimeve të gazetës, do të mbyllet brenda këtij muaji. Angazhimi i KPK dhe KLP me kandidatët e SPAK do të thotë se kjo strukturë është shumë pranë. Të gjithë presin shumë nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion sepse në dorë të saj është lënë hetimi i pushtetarëve të lartë që janë të përfshirë në afera. Rreziku nga SPAK i ka trembur shumë politikanët shqiptarë, ndërsa nuk kanë munguar as sulmet. Por prezenca e ndërkombëtarëve aty jep mesazhin se në sferën politike së shpejti SPAK do të sjellë reprezalje dhe se asnjë i korruptuar nuk do t’i shpëtojë dot ndëshkimit nga drejtësia e re./ Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here