Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar shtyrjen me tre muaj për tre gjyqtarët e Apelit të Vlorës, të cilët pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin dhe i dhanë atij mundësinë të shpëtoi nga burgimi i përjetshëm. Organi i akuzës ka kërkuar shtyrjen e hetimeve me argumentin se nuk ka ardhur përgjigja e këqyrjes së telefonit të gjyqtarit Aleks Nikolla. Sipas prokurorisë marrja e përgjigjeve të qeleziva të telefonit të gjyqtarit do ti vlejë hetimit. Kujtojmë se më datë 14 shkurt me urdhër të Gjykatës së Krimeve të Rënda policia ka ushtruar kontroll në banesat e gjyqtarëve. Për ekzekutimin e vendimit të gjyqtares së Krimeve të Rënda Liljana Baku, që autorizonte oficerët e prokurorisë të kryenin kontrolle në banesat e tre gjyqtarëve Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj, është kërkuar dhe ndihma e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Efektivë të FNSH, në bashkëpunim me policinë kriminale kanë kryer kontrolle në disa apartamente në Lezhë, Tiranë, Vlorë dhe Sarandë. Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e gjyqtarëve Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli, nuk është gjendur asnjë provë komprometuese. Pas kërkesës së shtyrjes me tre muaj të hetimeve për tre gjyqtarët gjyqtari Aleks Nikolla ka ankimuar dy ditë më parë kërkesën e prokurorisë. Do të jetë Gjykata për Krime të Rënda ajo e cila do të vendosë nëse do të pranojë apo jo kërkesën e prokurorisë. Kujtojmë se Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetim pasuror ndaj tre gjyqtarëve që pranuan gjykimin e shkurtuar ndaj Dritan Dajtit dhe shpëtuan atë nga burgimi i përjetshëm.
Hetimet
Më datë 15 shkurt, Prokuroria për Krime të Rënda regjistroi procedimin penal për korrupsion për tre gjyqtarët që në Apel, morën vendimin në favor të Dritan Dajtit, duke e shpëtuar atë nga burgimi i përjetshëm, pasi i pranuan kërkesën për gjykim të shkurtuar. Hetimet e nisura për tre gjyqtarët janë nisur nga prokurori Klodian Braho ndërsa ekzekutimi i kontrollit të banesave është ndjekur nga kryeprokurorja e krimeve Donika Prela. Hetimet nisën pasi dyshohet se gjyqtarët kanë abuzuar me detyrën dhe kane dhënë vendim në kundërshtim me ligjin, në favor të Dritan Dajtit. Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha janë dy gjyqtarët që vendosën të jenë pjesërisht kundër për të pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj Dritan Dajtit. Për ta ende nuk ka një konfirmim nëse janë vënë në hetim apo jo. Vendimi në favor të vrasësit të katër efektivëve të policisë u quajt nga kryeministri Edi Rama një akt kriminal, ndërsa ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kërkoi shkarkimin e gjyqtarëve që dhanë vendimin në favor të tij. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar, duke dënuar në total me 25 vite burg Dritan Dajtin për vrasjen e 4 policëve në gusht të vitit 2009. Procesi ndaj Dajtit zgjati rreth 10 vite, ndërsa në Shkallë të Parë u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2014. Ndërkohë prokuroria pritet të bëjë rekurs ndaj vendimit të Dajtit.
Vendimi që shpëtoi Dajtin
Rreth katër muaj më parë Apeli i Krimeve të Rënda vendosi të heqë burgimin e përjetshëm për Dritan Dajtin dhe dënimin e tij vetëm me 25 vite burg për akuzën e vrasjes së katër policëve pranë plazhit “Iliria” në Durrës më 7 gusht të vitit 2009. Vendimin për pranimin e gjykimit të shkurtuar në procesin ndaj Dritan Dajtit, kanë qenë tre gjyqtarë që kanë qenë pro këtij vendimi dhe dy kundra. Pro këtij vendimi rezulton të kenë votuar Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, ndërsa dy gjyqtarët nga Shkodra Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha kanë votuar pjesërisht kundër vendimit. Trupa gjykuese që dha vendimin për Dritan Dajtin përbëhej nga; Fuat Vjerdha, kryetari i Gjykatës së Apelit në Shkodër, anëtarët janë Lindita Hoxha e Aleks Nikolli, gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Shkodër. Pjesë e pesëshes gjykuese ishin edhe Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, nga Apeli i Vlorës, të cilëve ju kontrolluan banesat mëngjesin e djeshme dhe janë vënë nën hetim me akuzën e korrupsionit nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda./Elvis Myrta