Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tronditur dje nga themelet Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pak orë para protestës së djeshme, zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të SHBA, Matthew Palmer ka drejtuar gishtin tek Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Gjatë një interviste për “TCH”, zoti Palmer ka kërcënuar hapur, duke u shprehur se Basha dhe Kryemadhi do të mbajnë përgjegjësi nëse gjatë ditëve në vijim do të ketë skenarë dhune. “Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të bëjnë hapa pas nga konfrontimi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv që synon t’i japë fund ngërçit politik”, deklaroi ai.
Bllokim vizash për dhunuesit e zgjedhjeve
Duke u ndalur tek zgjedhjet vendore, zoti Palmer konfirmoi indirekt paralajmërimet që kryeministri Edi Rama ka bërë për atë që prishin procesin zgjedhor të 30 qershorit. Gjatë fjalës së tij, zoti Palmer theksoi se të gjithë personat që do të dhunojnë zgjedhjet nuk do të hyjnë në Amerikë. “Nuk mund të fitosh zgjedhjet nëse qëndron jashtë tyre dhe përdorimi i bojkotit për të penguar zgjedhjet vendore të një vendi të tërë nuk ndihmon për ndërtimin e institucioneve më të forta demokratike. I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor, çka siç e vërejta, mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA. Ditën e zgjedhjeve, ekipet tona të ambasadës do të vendosen në qendra votimi për monitorim zgjedhor”, u shpreh ai. Pra, duket qartë se paralajmërimi i SHBA vlen edhe për liderët e opozitës dhe zyrtarët e saj, të cilëve do t’iu bllokohen vizat amerikane, duke mos i lejuar të shkelin në SHBA.
Reforma në drejtësi
Sa i takon reformës në drejtësi, zyrtari amerikan deklaroi se kjo reformë po ecën në rrugën e duhur, ndërsa ritheksoi edhe njëherë vendosmërinë e SHBA për ta mbështetur atë. Madje, zoti Palmer nuk ngurroi t’i dërgonte edhe një mesazh Presidentit Meta, duke i kujtuar se ka të drejtën e zgjedhjes për një anëtar të Kushtetueses dhe se reforma në drejtësi është legjitime, ndryshe nga Meta, i cili e sulmoi atë. “Reforma në drejtësi është legjitime, kushtetuese dhe e pakthyeshme. Në këtë moment janë duke u ngritur institucionet e reja të drejtësisë. Sigurisht që duam që SPAK dhe BKH të ngrihen dhe të funksionojnë sa më parë. E dimë që është një proces i gjatë e sfidues por i nevojshëm që duhet të kryhet si duhet. Po ashtu, duam që Gjykata Kushtetuese të funksionojë normalisht, por vetingu ka treguar që ish-gjykatësit kishin treguar sjellje të korruptuar dhe problematike, dhe rruga përpara nuk mund të përfshijë kthimin tek gjyqtarët e emëruar politikisht. Së shpejti, Presidenti Meta do të ketë shansin të zgjedhë një gjyqtar për Gjykatën Kushtetuese nga një listë avokatësh të kualifikuar. Shqipëria është pranë finalizimit të një sistemi të pavarur drejtësie për të mirën e Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë. Dhe duhet të qëndrojë në këtë rrugë”, nënvizoi Palmer./Rigels Seliman