Teksa Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po japin kontributin e tyre në ngritjen sa më të shpejtë të SPAK, Kolegji i Posaçëm i Apelimit nga ana tjetër po shqyrton ankesat e gjyqtarëve e prokurorëve të shkarkuar, por edhe ankimimet e Komisionerit Publik. Muaji qershor pritet të jetë i ngjeshur për KPA sepse gjatë këtij muaji do të shqyrtojë 5 dosje. Teksa numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vetingu që i drejtohen KPA po rritet, përgjatë qershorit organi kolegjial do të ketë prioritet të punës ankimimet e Komisionerit Publik. Javën e ardhshme Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të rishqyrtojë dosjen e gjyqtares së Apelit për Krimet e Rënda, Nertina Kosova. E konfirmuar në detyrë nga KPK, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e saj. Seanca e parë publike për Kosovën do të mbahet në datën 12 qershor, ndërsa në fund mbetet të shihet nëse KPA do të rrëzojë sërish KPK apo këtë herë do t’i japë goditje Komisionerit Publik. Seancat publike Kolegji i Posaçëm i Apelimit do t’i vijojë më tej me gjyqtarin e Gjykatës Administrative, Gentian Medja. Përballja e tij e dytë me vetingun do të nisë në datën 17 qershor. Edhe Medja është pjesë e grupit për të cilët Komisioneri Publik kërkon shkarkim. Në të njëjtën ditë KPA do të vijojë me shqyrtimin e dosjes së gjyqtares së Tiranës, Alma Brati. Për të deri tani janë zhvilluar disa seanca dëgjimore, ndërsa është kryer edhe një analizë e re financiare me kërkesë të Komisionerit Publik. Puna e KPA do të vijojë më tej me gjykimin në dhomë të këshillimi të çështjes së ish-gjyqtarit të Tiranës, Bledar Abdullai. Ai është shkarkuar nga vetingu, por tani kërkon rikthimin në detyrë. Kulmi i seancave në KPA do të arrijë në datën 25 qershor, kur në skaner do të kalojë kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Ai u konfirmua në detyrë edhe pse iu gjetën shkelje, ndërsa tani dolën Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik.










































