Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Burreli ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, se presidenti Ilir Meta ka humbur të drejtën për të qndruar në zyrë. Rama tha se presidenti u shfaq si shpëtimtar i opozitës, ndërsa shtoi se priten të tjera vendime të Metës. Ai përsëriti sërish se zgjedhjet do të zhvillohen në datën 30 qershor.“Dje, papritur për shumëkënd, por sipas parashikimeve tona dhe të miat, u shfaq shpëtimtar i atyre që kishin mbetur atje në rrugë, as më shumë e as më pak, por presidenti i Republikës, duke paralajmëruar një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul dhe moralisht është turp që s’ka më turp. Dhe, mos u çudisni nëse ju them se nga fronti i shpëtimtarit të opozitës s’kemi parë gjë akoma, nuk është çmenduria e fundit, do të ketë edhe të tjerat. Por një gjë është e sigurt, do apo s’do Saliu, Iliri, Lulzimi, filxhani, zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Dje Ilir Meta ka shkruar fatin e tij si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë”, u shpreh Rama.








































