Një pjesë e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 30 qershorit rezultojnë me precedent penal apo me identitet të ndryshuar. KQZ ka zbardhur formularin e dekriminalizimit të kandidatëve të PS, BD apo edhe partive të tjera, nga ku rezulton se një 8 prej kandidatëve janë proceduar penalisht, por kjo gjë nuk i pengon të kandidojnë në zgjedhjet e 30 qershorit. Ndërsa 12 të tjerë kanë ndryshuar identitet. Kandidati i BD për Bulqizën, Ilir Balla, deklaron se është dënuar me 80 mijë lekë gjobë nga gjykata e Dibrës, për veprën penale goditje për shkak të detyrës. Kandidati socialist për Bashkinë Krujë Artur Bushi është proceduar në Itali, si person i dyshuar për trafikimin e lëndëve narkotike. Ai ka deklaruar se për këtë vepër penale është dënuar me burg nga data 12.06.2010 deri në 30.03.2011, ku hetimet janë mbyllur nga drejtësia italiane pasi është vërtetuar që nuk kishte lidhje me këtë çështje. Po ashtu një tjetër kandidat i proceduar penalisht është edhe Pjerin Ndreu, i cili kandidon nën siglën e PS për Bashkinë Lezhë. Në formularin e vetëdeklarimit të dorëzuar në KQZ, ai deklaron se është proceduar penalisht në muajin shtator 2004, për veprën penale “Përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Deri në daljen e vendimit që e shpalli të pafajshëm, ndaj Ndreut u caktuar “Detyrim paraqitje”. Kandidati për Matin, Agron Malaj veç hetimit të pushuar për 21 Janarin, ka deklaruar një dënim nga Gjykata e Matit në vitin 1999 me 10 muaj burg për armëmbajtje pa leje. Kandidati socialist për Bashkinë Poliçan Adriatik Zotkaj ka deklaruar se është proceduar penalisht disa herë. Fillimisht ai është proceduar për veprën penale “Fyerje dhe goditje për shkak të detyrës” dhe për këtë vepër është dënuar me 200 mijë lekë gjobë. Ai gjithashtu është dënuar nga Gjykata e Korçës me 3 vjet burg për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Adriatik Zotkaj gjithashtu është dënuar edhe nga Gjykata e Skraparit me 10 muaj burg për veprën penale “Kundërshtim të punonjësve të policisë të rendit publik”. Po ashtu kryebashkiaku i Poliçanit është dënuar edhe nga Gjykata e Tiranës me një vit burg. Kandidati socialit për Pustecin, Pali Kolefski ka deklaruar një dënim në vitin 2005, me 35 mijë lekë gjobë për kanosje. BD kandidon në Bashkinë Tepelenë me Gëzim Malka, i cili është proceduar penalisht nga gjykata e Tepelenës për veprën penale “Shpërdorimi i kontributeve, e kryer në bashkëpunim”. Për këtë vepër penale ai është dënuar nga gjykata 5 muaj burg. Kandidati i Bindjes Demokratike në Kukës Abedin Oruci ka pranuar se është dënuar nga gjykata e Kukësit me 33 mijë lekë për deklarim të rremë pasurie në vitin 2010. Po ashtu, ai thotë se ka qenë 8 ditë në paraburgimin e Prizrenit, i akuzuar për vepra penale sipas nenit 139 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, por ka dalë i pafajshëm. Kjo pikë e Kodit flet për kryerje shërbimesh seksuale me viktima të trafikuara, duke qenë në dijeni se janë të tilla.
Ndryshim i identitetit
Po ashtu ka edhe kandidatë që kanë ndryshuar identitetin e tyre. Kandidati i partisë greke MEGA për Bashkinë Finiq Kristo Kiço ka ndryshuar mbiemrin, ku më herët e ka pasur Katrani. Po ashtu identitet ka ndryshuar edhe kandidati i PS për Bashkinë Himarë Jorgo Goro ka ndryshuar emrin, ku më parë e ka pasur Gjergji. Mbiemrin e ka ndërruar edhe aktori Erjon Isai që kandidon në Kolonjë. Ai deklaron se mbiemri i mëparshëm ka qenë Isa. Në Bashkinë Memaliaj nën siglën e PS Në Memaliaj, Gjolek Guci ka deklaruar se ka përdoru edhe emër, mbiemër dhe atësi tjetër. Nga Gjolek Myslym Guci në Spiro Jorgo Kuremenos. Ilir Xhakolli, i cili është kandidati i PS për Bashkinë Pogradec ka ndryshuar edhe emrin edhe mbiemrin. Më herët ai i ka pasur Ilirjan Xhago. Edhe Nuri Belba i cili kandidon për Bashkinë Prrenjas ka ndryshuar emrin. Ai ka deklaruar se më parë e ka pasur emrin Nuredin. Ndërsa kandidati Adrian Gruma, i cili kandidon nën siglën e PS për Bashkinë Sarandë ka ndryshuar mbiemrin, ku më herët e ka pasur Grumo. Ndërsa kandidati i BD për Bashkinë Tiranë, Arben Skënderaj ka ndryshuar mbiemrin, ku më herët e ka pasur Skënderi. Ndërsa Mark Babani që kandidon në Vaun e Dejës ka ndryshuar mbiemrin ku më herët e ka pasur Babaj. Po ashtu Agim Kajmaku që kandidon në për mazhorancën në Vorë thotë se ka përdorur gjeneralitetet të tjera: Jorgo Toto. Kandidati i BD në Lezhë Salvador Kaçaj ka ndryshuar emrin, ku më herët e ka pasur Salvator.
Elisjeda Kiko