Trajneri Ardian Mema e mori Tiranën pas largimit të teknikut brazilian Ze Maria dhe ia doli të paktën të mbajë bardheblutë në elitë, pasi siç dihet situata nuk ishte në favor të Tiranës dhe klubi rrezikoi të binte sërish në Kategorinë e Parë, gjë që do të ishte katastrofë për objektivat madhore dhe të ardhmen e vetë skuadrës. Gjithsesi, edhe pse shpëtoi nga rënia, Tirana nuk realizoi asnjë objektiv tjetër, sepse nuk fitoi trofe dhe nuk ia doli të kapë zonën e Ligës së Europës. suksesi i vetëm ishte arritja në finalen e Kupës së Shqipërisë, por pa sukses në finale, sepse trofeun e Kupës e mopri Kukësi. Në këto rrethana, Tirana ka nisur të mendojë për sezonin e ri, ku në pikëpyetje ka qenë vetë trajneri Mema. Mediat sportive shkruajnë se Mema i ka kërkuar klubit dorë të lirë për merkaton, duke e vendosur këtë si kusht të qëndrimit të tij të mëtejshëm, gjë që në fillim nuk është pëlqyer nga presidenti Refik Halili. Ky i fundit ka bërë dje prapa-kthehu, pasi presioni i tifozerisë është shumë i madh. Një pinjoll i familjes Mema, djali i të madhit Ali Mema, ish-lojtar bardheblu dhe me kontribut për këtë klub, gëzon autoritet në radhët e tifozerisë dhe klubit, prandaj mënjanimi i Memës nuk është i lehtë. Në këtë situatë, klubi po mendon rinovimin me Ardian Memën, megjithëse deri sa të nisin përgatitjet për edicionin e ri do të ketë shumë “skenarë” për t’u zbatuar. Gjithsesi, e ndërtuar për të synuar objektiva madhorë, Tirana kaloi një sezon tejet të komplikuar, ku vetëm në javën e fundit të kampionatit arriti të sigurojë mbijetesën dhe të shmangë rrjedhimisht një tjetër dramë. Pavarësisht investimeve dhe emrave, në letër të bujshëm, bardheblutë vuajtën jo pak këtë sezon, teksa në fund dështuan edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, një trofe që mund të ndryshonte disi atmosferën. Ardian Mema mori përsipër një barrë të rëndë vitin e kaluar, e cila ka ngarkesë edhe më të madhe kur ke gjak bardheblu, dhe bëri maksimumin për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej, për këtë arsye drejtuesit duket se janë bindur për t’i ofruar rinovimin. Mësohet se palët kanë biseduar dhe tekniku është gati të vijojë përvojën e tij tek klubi i zemrës, edhe pse ka vendosur disa kushte përsa i përket ndërtimit të skuadrës, që pritet të pësojë ndryshime, me qëllim që të mos përsëritet sezoni që sapo përfundoi. Në këtë mënyrë janë venitur alternativat që kishin dalë mbi sipërfaqe, nëse klubi 24 herë kampion do të vendoste të ndërmerrte një tjetër kurs, ndaj përjashto ndonjë ndryshim të papritur, Mema do të jetë trajner i Tiranës edhe edicionin e ardhshëm.
Të rinjtë, shpresë për Tiranën të rikthehet në majë
E ndërsa po ideohet Tirana e madhe e futbollit, duket se të rinjtë e këtij klubi që militojnë me moshat po bëjnë paraqitje të mira dhe japin shpresë për vazhdimësinë. Kështu, Shqipëria U-19 ka arritur të marrë një fitore edhe në ndeshjen e dytë miqësore duke mundur me rezultatin e thellë 4-1 Përfaqësuesen e Kosovës. Ashtu si edhe në ndeshjen e parë, edhe në takimin e dytë ka shkëlqyer dyshja Broja-Muçi ku të dy kanë shënuar nga një dygolësh. Sulmuesi i talentuar i Tiranës, ka arritur që me një gjakftohtësi prej veterani të konvertojë në gol një penallti duke i dhënë sinjale të qarta trajnerit bardheblu Ardian Mema. Goditja e penalltive ka qenë këtë sezon pika më e dobët e Tiranës duke qenë se janë humbur një numër i konsiderueshëm penalltish dhe vetë Mema tha se nuk e ka dikë që të shënojë penalltitë. Mesa duket, eksperti i penalltive është në skuadër dhe këtë e tregoi Muçi me fanellën e Shqipërisë. Sakaq, Muçi ka shënuar edhe një tjetër gol në këtë takim ku pasi arriti të rikuperonte një top pranë vijës anësore, ka parë daljen e portierit dhe ka goditur me një parabol nga distanca duke e ndalur topin në rrjetë.
Adriatik BALLA