Ndizen debatet për përgjimet, Vangjush Dako rrëzon “Bild” dhe opozitën: Personi që flet në tele

0
359

Përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, ku zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste flisnin me personazhe të botës së krimit kanë ndezur ditën e djeshme debatet politike në Tiranë. Nga njëra anë opozita akuzon mazhorancën se është e inkriminuar referuar këtyre përgjimeve, ndërsa nga ana tjetër shumica qeverisëse thekson se në asnjë nga publikimet nuk pohohet se ka shit-blerje të votave. Por lidhur me akuzat e opozitës, dje ka reaguar edhe një nga personat, i cili ka qenë në qendër të këtyre sulmeve. Bëhet fjalë për kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili duke folur në studion e emisionit “Opinion”, mohoi publikisht që në telefonatën e përgjuar, personi me të cilin bisedon nuk është Astrit Avdyli, por një person tjetër, të cilin refuzoi që ta emëronte. “Vetë flet, vetë po përgjigjesh, si Astrit Avdyli. Unë nuk jam duke folur me Astrit Avdylin aty. Gjeje ti me kë jam duke folur. Me Astrit Avdylin nuk jam duke folur, këta ta sfidoj këtu. Nëse është e vërtetë që unë jam duke folur me Astrit Avdylin, kaq di të them. Kjo tregon që një mëndje e hollë e ka manipuluar për të krijuar lidhjen me 5 telefonatat e tjera. Pra futet Astrit Avdyli, tek të 5-ta është Astrit Avdyli, tek e 6-ta me mua nuk është Astrit Avdyli. Jam duke folur me person tjetër, nuk ta them personin”, deklaroi ai. Por kjo deklaratë e zotit Dako, rrëzon jovetëm akuzat e opozitës, por hedh në “erë” edhe hetimet e prokurorisë. Megjithatë, gazetari Blendi Fevziu ndërhyri duke thënë se personi që është vënë në përgjim nga Prokuroria është Astrit Avdyli. Megjithatë, sërish kryebashkiaku Vangjush Dako mohoi që personi me të cilin komunikon të jetë Astrit Avdyli, duke u shprehur se mund të ketë gabuar Prokuroria.

Dako sqaron pozicionin e deputetit Ndraxhi

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako në vijim ka sqaruar pozicionin e deputetit socialist Ilir Ndraxhi, emri i të cilit në disa audio-përgjime të dosjes “339” përflitet nga pjesëtarë të familjes Avdylaj. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Dako sqaroi se asnjë nga personat e përgjuar nuk ka përcaktuar kandidimin e Ilir Ndraxhit për deputet, por deklaroi se kandidimi i tij ka nisur që në vitin 2013. “Pse ai e ka emëruar Ndraxhin deputet? Procesi i zgjedhjes së deputetëve fillon që në vitin 2013 me Ndraxhin të cilit i kemi kërkuar të jetë deputet i PS, nuk ka pranuar. Në 2015 i kemi kërkuar të jetë kryetar i Bashkisë së Shijakut. Nuk ka pranuar. Në vitin 2016, një miku im i ngushtë ka ardhur dhe më ka thënë kam biseduar me Ilir Ndraxhin dhe ka ndryshuar mendjen. Dhe kam qenë unë bashkë me mikun tim të cilin ja kemi prezantuar edhe kryetarit të partisë Edi Rama. Kur u vendos deputeti mori dhenë. Deputeti i Shijakut në këtë kohë ka qenë Blendi Klosi, i cili mori detyrë tjetër, për të drejtuar qarkun e Beratit”, u shpreh ai.

PD kërkon largimin e Ramës

Lidhur me përgjimet, dje ka reaguar edhe Partia Demokratike. Gjatë një deklarate për mediat, ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj akuzoi kryeministrin Edi Rama se është vënë në mbrojtje të Vangjush Dakos, ndërsa kërkoi largimin e tij.“Pas skandalit të publikuar nga gazeta gjermane Bild, ku del në dritë mekanizmi i blerjes së votave nëpërmjet krimit dhe se drejtuesi real i fushatës për Partinë Socialiste është një trafikant ndërkombëtar droge, me të drejtë, të gjithë presin dorëheqjen e Edi Ramës. Por, kur bëhet fjalë për pushtetin dhe mbajtjen e tij në çdo formë e me çdo mjet, Edi Rama, është krejt i parashikueshëm dhe nuk zhgënjen asnjëherë. Me apo pa dorëheqje, Edi Ramën nuk e beson më askush. Edhe ata që besonin sadopak tek kryeministri mafioz, sot janë të qartë së gjithçka ka ndodhur me bekimin e tij. Nëse do të ishte e kundërta, Edi Rama do të kishte dhënë dorëheqjen me dhjetëra herë”, deklaroi ai.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here