Monodrama “Dome” shfaqet në Katedralen e Korçës

0
515

Postuar: 07/06/2019 – 07:22

Monodrama “Dome” shkruar dhe me regji nga Stefan Çapaliku u shfaq në Katedralen e Korçës. Vepra me interpretimin e aktorit Enver Hyseni është pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “Albamono”, që këtë vit zhvillon edicionin e 16 në Korçë. Trupat artistike pjesëmarrëse në festival janë nga Greqia, Kosova, Mali i Zi, dy nga Rusia, Franca, Shqipëria dhe Izraeli, që konkurrojnë për çmimet që do të ndahen mbrëmjen e datës 8 qershor në teatër dhe janë performanca më e mirë, aktori më i mirë, aktorja më e mirë dhe regjisura më e mirë. Shqipëria përfaqësohet në këtë festival me monodramën “Dome” shkruar nga Stefan Çapaliku, por shkrimi i saj është produkt i një vëmendje të zgjuar gjatë bisedave të gjata mes autorit dhe aktorit ndër procese pune apo ndenje të rastësishme. Ajo që i ka bërë përshtypje autorit gjatë këtyre bisedave ka qenë gjithmonë sinqeriteti i thellë me të cilin Enver Hyseni tregonte aspekte të ndryshme të jetës së vet, që rrinin të lidhura ngushtë me epokën, së cilës i përkisnin. Në këtë monodramë autori ka dashur të shkruajë e më vonë të ndërtojë një shfaqje të thjeshtë, “shfaqje aktori”, një shfaqje që të ngjasojë si një akt rrëfimi, pse jo edhe kërkimi ndjesë, pardoni, si një gjest që kaq shumë i mungon shoqërisë sonë. Muzika e maestro Haig Zacharian është një ndër elementet gjithashtu të çmuara të kësaj shfaqje. Aktori Enver Hyseni lindi në Shkodër më 1 Gusht 1951. Merr mësime aktrimi në Institutin e Lartë të Arteve për një periudhë të shkurtë (1973-1974) dhe i ndërpret studimet për arsye ekonomike. Më 1975 nis punën në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku edhe pensionohet më 2016. Në këtë periudhë dyzetvjeçare luan më se gjashtëdhjetë role në teatër e katër në filma. Punon me regjisorë si Serafin Fanko dhe shquhet për role karakteresh. Zëri tipik dhe plastika e brendshme e bëjnë një aktor krejtësisht të veçantë dhe interesant. Stefan Çapaliku nga viti 1995 merret sistematikisht me teatër. Tekstet dhe shfaqjet e tij janë dhënë në disa festivale ndërkombëtare, ku është nderuar me çmime. Disa nga veprave e tij janë përkthyer në gjuhët kryesore evropiane. Kohët e fundit krijimtaria e tij është shtrirë edhe në fushën e regjisë së teatrit dhe filmit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here