Kandidatët e SPAK të rrezikuar nga vetingu, ONM “fundos” Ened Nakuçin, ja strategjia që do të ndjekë KLP për të nisur luftën antikorrupsion brenda verë

0
387

Prokororët që kanë shfaqur interes të jenë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion rrezikojnë të shkarkohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Prej dy ditësh, KPK ka nisur procesin e rivlerësimit për kandidatët e SPAK, ndërsa deri tani ka kaluar në sitë tre emra: prokurorin e Dibrës, Shkëlzen Cena dhe prokurorët e Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi e Edvin Kondili. Por ajo që bie në sy nga këto tre seanca dëgjimore të mbajtura është fakti se dy prej prokurorëve të mësipërm kanë dalë më probleme dhe rrezikojnë shkarkimin. Më konkretisht, bëhet fjalë për Shkëlzen Cenën, i cili kishte probleme edhe me pasurinë, edhe me figurën, edhe me aftësitë profesionale, si edhe për Ened Nakuçin. Seanca për këtë të fundit u mbajt dje, por trupa gjykuese e KPK konstatoi disa pasaktësi lidhur me pasurinë. Sipas KPK, Nakuçi ka një apartament në Tiranë. Në vitin 2003 ai ka lidhur kontratën e porosisë për të, ndërsa ka specifikuar edhe mënyrën e pagesës. “Gjithë pagesa është likuiduar. Në vitin 2003 subjekti nuk ka deklaruar shumën e plotë të pasurisë por vetëm shumën e paguar atë vit. Burim për krijimin e kësaj pasurie ai ka deklaruar të ardhura nga pagat dhe borxh nga e ëma, motra dhe xhaxhai. Por nuk i provon me dokumentacion ligjor borxhet e marra nga familjarët”, tha trupa gjykuese. Po ashtu, Nakuçi rezulton bashkëpronar në një apartament të përfituar me një kontratë në vitin 2010. Ky apartament është blerë 10 mln lekë, por KPK konstatoi mospërputhje të deklarimeve të subjektit për këtë pasuri, sepse nuk ka dokumentuar vlerën prej 5.600 eurosh të përdorura si burim për krijimin e kësaj pasurie.

ONM fundos Ened Nakuçin

Kulim seanca dëgjimore për Ened Nakuçin e arriti kur përfaqësuesi i ONM, Theo Jacobs “gozhdoi” subjektin e rivlerësimit. Ai e pyeti prokurorin e Krimeve të Rënda për një dosje ku të proceduar ishin disa shtetas të akuzuar për trafik droge. Hetimet për këtë dosje Nakuçi i kishte pushuar sepse duke u bazuar në përgjime, nuk kishte gjetur indicie për të vijuar më tej. Por sipas Jacobs, ai nuk duket të ketë punuar si një prokuror i Krimeve të Rënda. “Po rikthehem në çështjen që është përzgjedhur me short për tu vlerësuar. Janë pesë apo gjashtë persona të dyshuar për trafik droge. Ju pushuat çështjen apo nuk filluat hetimet. Duke qenë se ishin përcjellë investigime telefonike, fantazia juaj qëndroi vetëm tek këto përgjime. Pse ndaluat pas këtyre tabulateve telefonike? Çfarë ju pengoi? Sepse informacioni i përcjellë ishte shumë i besueshëm. Sepse njëri nga këta persona ishte më herët i dënuar. Jam i sigurt se ju punoni në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe duhet të shkonit më përtej. Përse ndaluat?”, iu drejtua Jacobs Ened Nakuçit. Në përgjigjen e tij, ky i fundit i qëndroi argumentit se gjatë përgjimeve nuk kishte gjetur indicie për të vijuar hetimet.

Strategjia e KLP

Konfirmimi në detyrë i Ened Nakuçit, por edhe i Shkëlzen Cenës nuk është fort i sigurt, pas problemeve të gjetura nga KPK. Por në rast se ata shkarkohen, a pengohet puna për ngritjen e SPAK? Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka menduar një strategji me qëllim që ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion të mos bllokohet për asnjë moment. KLP ka planifikuar që themelet e SPAK të hidhen me 5 prokurorë, ndërsa më pas struktura mbushet pak nga pak me emra të tjerë të aftë. Deri tani 4 prokurorë e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut. Fjala është për kryeprokuroren e Krimeve të Rënda, Donika Prela, prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja dhe prokurorët e Krimeve të Rënda Dritan Prençi e Besnik Muçi. Kjo do të thotë se mjafton që vetëm një nga 20 prokurorët e tjerë ta kalojë procesin e vetingut, atëherë ngritja e SPAK bëhet realitet. Vlen të theksojmë se Edvin Kondili doli pa probleme dje para KPK dhe gjasat janë që do të konfirmohet.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here