Kandidat për në SPAK, prokurori i Krimeve të Rënda rivlerësohet nga KPK, Edvin Kondili drejt konfirmimit në detyrë

0
441

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po kalon në veting me përparësi të gjithë kandidatët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Deri tani Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përgatitur dosjet e vlerësimit për gjysmën e garuesve e duke u bazuar në këto dosje, KPK po thërret njëri pas tjetrit në seanca dëgjimore prokurorët pretendentë. Ditën e djeshme ishte radha e prokurorëve të Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili. Teksa për Nakuçin punët duken disi të ndërlikuara sepse KPK i gjeti disa probleme të vogla, krejt e kundërta ndodhi me Kondilin. Ai u përball me trupën gjykuese pa asnjë probleme. Sipas relatores së çështjes, Xhensila Pine, për Edvin Kondilin Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë kishte sjellë një raport pozitive ku konstatonte se nuk kishte kryer fshehje pasurie, kishte burime të ligjshme dhe nuk ishte në kushtet e konfliktit të interesit. Në një përfundim të njëjtë ka dalë edhe vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Sipas trupës gjykuese, prokurori Kondili zotëron një apartament 86 metër katrorë në Tiranë të blerë në vitin 2011 me të ardhura të justifikuara. Po ashtu, në emër të tij është edhe një automjet tip “Benz”, ndërsa i janë gjetur edhe kursime cash. Për asnjë nga këto pasuri KPK nuk konstatoi probleme. Sa i takon kriterit të figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte konstatuar përshtatshmërinë për të vijuar detyrën. Edhe në kriterin profesional, Kondili u vlerësua si prokuror që identifikon saktë normën ligjore dhe është korrekt me vendimmarrjen. Relatorja Xhensila Pine theksoi se nuk ka ankesa apo masa disiplinore në fuqi ndaj tij. Vetë prokurori i Krimeve të Rënda që garon për SPAK u shpreh dakord me rezultatet e hetimit të kryer ndaj tij dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të jepet nesër në orën 14.00. Po nesër do të jepet edhe vendimi për prokurorin tjetër të Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here