Interi afron Barrielon nga Kaljari, hidhet në sulm për Lukakun e Junajtid

0
374

Interi po bën përpjekje për të qenë një skuadër pretendente për titullin gjatë sezonit të ardhshëm. Këtë edicion dështoi si në kampionat dhe në kupë, por edhe në Champions dhe Europa League, ku u eliminua në çerekfinale prej Eintrahtit të Frankfurtit. Por në kuadër të sezonit të ri janë dhënë shenja të mira dhe një prej shenjave më domethënëse është padyshim përzgjedhja e teknikut Antonio Konte. Ish-trajneri i Juventusit kaloi një edicion mjaft të suksesshëm me Çelsin në Premier League por dështoi në sezonin e dytë, ku nuk fitoi gjë dhe u detyrua të tërhiqet. Në fakt, Konten e shkarkuan dhe ai mori shumë para nga Çelsi për prishje të njëanshme të kontratës. Tani ai ka zgjedhur të drejtojë Interin dhe deklaratat e fundit të tij për mediat sportive italiane lënë të kuptuar se Interi i tij do të rivalizojë fuqishëm me Juventusin për titullin kampion në Serie A italiane. Ndërkohë, klubi zikaltër është hedhur fuqishëm në merkato për të bërë blerjet e duhura. Dhe afrimi i parë ka ndodhur tashmë. Kështu, takimi i dy ditëve më parë mes Piero Ausilios dhe menaxherit të Nikolo Barrelas, Alesandro Beltrami, ka çuar në finish marrëveshjen për kalimin e 22-vjeçarit te Interi. Akordi me Kaliarin është arritur për shumën e 45 milionë eurove, nga të cilat 30 do të paguhen kesh, ndërsa diferenca do të kompensohet me dy nga 4 futbollistë si Dimarko, Bastoni, Radu dhe Eder. Nga ana tjetër, futbollisti do të nënshkruajë kontratë 4-vjeçare me Interin dhe do të përfitojë një pagë prej 2.5 milionë eurosh në sezon, ndërsa zyrtarizimi pritet të vijë menjëherë pas angazhimeve të Italisë në eliminatoret e Euro 2020-ës. Pak a shumë në të njëjtën pikë është edhe marrëveshja për kalimin e Edin Xhekos në Milano, teksa këto ditë Ausilio pritet të ulet me drejtues të Romës, për të konkretizuar akordin e arritur tashmë. Më pas vëmendja do të përqendrohet te afrimi i një emri të bujshëm në sulm, ku në pole është belgu Romelu Lukaku, por marrëveshja me Mançester Junajtid duket ndjeshëm e komplikuar. Kjo pasi “djajtë e kuq” kanë refuzuar Ikardin dhe kërkojnë 70 milionë euro kesh për kartonin e belgut aq shumë të dëshiruar nga Konte, por një shifër e tillë vështirë se mund të paguhet nga zikaltrit. Po në Angli, zikaltrit po negociojnë edhe me Çelsin, për të marrë në huazim me të drejtë blerjeje mbrojtësin anësor Zapakosta, i cili pëlqehet shumë nga Konte, pasi ishte ky i fundit që e mori në Londër. Paralelisht, Interi po punon edhe me merkaton në dalje, ku pret me interes ofertat në drejtim të Zhao Mario dhe Dalbert, dy emra që nuk bëjnë pjesë në planet e Antonio Kontes dhe që mund të përmirësojnë bilancin, nëse shiten në shifrat e duhura. Duke u kthyer tek sulmuesit, Romelu Lukaku shihet si një prej më të mirëve në treg. Belgu nuk po gjen hapësirat e duhura në radhët e Mançester Junajtid dhe ka shfaqur dëshirën të vijojë karrierën në Serie A. Konte e njeh futbollistin dhe ka lënë të hapur mundësinë e transferimit, kështu që mund të priten surpriza në ditët në vijim.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here