Këshilli i Lartë Gjyqësor do të kalojë në “skaner” të gjithë inspektorët e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për ta rritur këtë qëllim, KLGJ ka vendosur të ngrejë një Komision të Përkohshëm për vlerësimin e statusit individual dhe karrierën e inspektorëve të ish-KLD. Ky komision do të duhet që brenda dy javësh nga ngritja të formulojë një raport dhe ta paraqesë atë pranë KLGJ. Në raport duhet të ketë detaje të imtësishme për secilin inspektor dhe duhet të thuhet qartë nëse ata e gëzojnë statusin e magjistratit apo jo. Ajo që e shtyn KLGJ drejt këtij procesi është fakti se shumë prej inspektorëve nuk e kanë statusin dhe sërish marrin rrogë. Pra praktikisht, ata paguhen kot, ndërsa nga ana tjetër kjo jep efekte financiare për KLGJ. Po ashtu, momentalisht inspektorët po paguhen pa bërë asnjë punë sepse nuk kanë kryer asnjë hetim për punën e gjyqtarëve. Për të spastruar inspektorët “parazitë”, kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami në një prej mbledhjeve të mbajtura, ka kërkuar ngritjen e komisionit të përkohshëm. “Në situatën shumë imediate ne duhet të bëjmë ristrukturimin e institucionit dhe është shumë e nevojshme që në fazën e ristrukturimit ka disa vendimmarrje që kanë efekte financiare që lidhet dhe me pagën që gëzojnë sot inspektorët, që kjo ka të bëjë me statusin e tyre.Për këtë çështje unë kërkoj që Komisioni të reagojë shumë shpejt sepse efektet financiare mund të jenë më pas që neve të sanksionoheni për faktin që mund të kemi dhënë paga të cilat nuk janë në qasje me statusin e tyre. Kështu që në këtë lloj fryme, afati 2-javor është më se racional, për të vlerësuar nëse kanë statusin magjistrat apo nëse nuk e kanë statusin e magjistratit sepse ka të bëjë me pagën që do përfitojnë ato dhe, nëse ato duan të jenë pjesë e strukturës tonë apo nëse nuk duan të jenë pjesë e strukturës tonë”, tha Llagami në mbledhjen e KLGJ, procesverbali i së cilës është zbardhur nga gazeta.
Vihet në lëvizje Komisioni i Venecias
Një fakt interesant që del në pah në procesverbal është se për të larguar inspektorët e ish-KLD që paguhen kot sepse nuk e kanë statusin e magjistratit, do të vihet në lëvizje edhe Komisioni i Venecias. Një gjë të tillë KLGJ ia ka kërkuar vetë misioni Euralius. Këtë e bëri me dije anëtarja e KLGJ, Marçela Shehu, e cila ngriti edhe si shqetësim se afati 2-javor për komisionin e përkohshëm që do të bëjë vlerësimin nuk është i mjaftueshëm. “Po për afatin dyjavor që është parashikuar, duke qenë se ju sollët në vëmendje dhe propozimin e misionit EURALIUS, pikërisht në propozimin që ka bërë ky mision parashikohet që KLGJ duhet t’i drejtohet për problematika që lidhen me statusin e tyre edhe Komisionit të Venecias nëse do ta çmojë dhe nëse ne do parashikojmë një afat 2-javor, kam përshtypjen që këtë sugjerim që na është bërë nga misioni EURALIUS nuk do jemi në mundësi për ta realizuar. Kështu që, nëse nuk ka një afat të caktuar nga ligji për përgatitjen e këtyre raporteve, unë sugjeroj që ky afat të ishte më i gjatë. Edhe për t’i dhënë kohë anëtarëve që të punojnë dhe t’i vlerësojnë siç duhet dosjet por edhe për të evidentuar rast pas rasti nëse ka vend për t’u drejtuar apo jo Komisionit të Venecias”, tha Shehu. Naureda Llagami nga ana tjetër propozoi që me çështjet që do t’i çohen Komisionit të Venecias për mendim të merret Komisioni i Karrierës. “Lidhur me çështjen e Komisionit të Venecias ka qenë një situatë në të cilën, e para, situata ka qenë para 4 muajsh dhe e dyta, në Komisionin e Venecias do të ngrihen shumë çështje, për të cilat neve, ato shumë çështje që do të ngrihen, do të jetë një pjesë tjetër ndoshta e vendimmarrjes, nëse ju e gjykoni dhe le të vijë propozimi nga Komisioni i Karrierës, nëse ju e gjykoni që t’i çojmë për çështjen për në Venecia”, u shpreh Naureda Llagami.
Mimoza Ibra










































