Hysaj merr ofertë nga Atletiko e Madridit, Napoli e refuzon, mbrojtësi në dorë të Sarrit

0
342

Postuar: 07/06/2019 – 07:11

Një nga futbollistët më të mirë të përfaqësueses tonë, Elseid Hysaj, po kalon një moment të vështirë, sepse tek Napoli gjërat për të nuk shkojnë në drejtimin e duhur dhe sipas shijeve të tij, ndërkohë që ka shfaqur interes për të ndryshuar skuadër, duke u njohur me ofertat që kanë mbërritur nga klube të ndryshme. Ideja për të zgjedhur Çelsin në Premier League po zbehet dita-ditës, pasi trajneri Mauricio Sarri duket se do të largohet edhe vetë nga klubi anglez dhe Hysaj nuk duket të ketë qasje të mirë në këtë destinacion, prandaj po sheh alternativa të reja. Padyshim, dalja në skenë e Atletikos së Madridit është një mundësi e madhe për shkodranin, por Hysaj nuk dëshiron të nxitohet në zgjedhjen e tij. Ai ka besim se çështja mund të zgjidhet në drejtimin e duhur nëse trajneri Mauricio Sarri do të largohet nga Çelsi në mënyrë përfundimtare për t’u kthyer në Serie A italiane. Juventusi mund të jetë një mundësi e fortë, por nuk përjashtohet ndonjë skuadër tjetër. Kështu që Hysaj do të ketë një shans të zgjedhë. Por ndërsa situata me ofertat vijon të “pushtojë” faqet e shtypit sportiv italian, për Hysajn ka dalë në skenë një alternativë e re si mundësi transferimi në merkaton e verës dhe bëhet fjalë për Primera Divizion në Spanjë, ku një prej ekipeve më të mëdha spanjolle, Atletiko e Madridit, ka shprehur interes për cilësitë e mbrojtësit shqiptar. Sikurse shkruajnë mediumet sportive italiane, sezoni që sapo përfundoi ishte i fundit për mbrojtësin e Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj me ngjyrat e Napolit. Futbollisti shkodran është vënë në kërkim të një eksperience të re, ndërsa kërkesat për të nuk mungojnë. Së fundmi, është përfolur një interesim nga klubi i Atletiko Madrid. Sipas asaj që raportohet nga Italia, madrilenët kanë bërë një kërkesë zyrtare për të transferuar mbrojtësin në Spanjë. Por, oferta ka qenë e ulët dhe nuk ka kënaqur presidentin Aurelio De Laurentis. Në këtë formë, Hysaj mbetet ende futbollist i Napolit, të cilët por presin për ofertën e duhur. Ndërkohë, nga ana tjetër vetë Hysaj, është ende në pritje të ish-trajnerit të tij, Mauricio Sarri. Tekniku me shumë mundësi do të rikthehet në Itali dhe Hysaj mund të ribashkohet me trajnerin që e transferoi te Napoli dhe e promovoi si një lojtar të rëndësishëm duke i dhënë besim. Pra e ardhmja e Hysajt është e varur në masë të madhe nga tekniku Mauricio Sarri. Një kthim në kampionatin italian do të bënte që ta merrte me vete Hysajn, por nuk përjashtohet mundësia që mbrojtësi të kalojë në Spanjë tek Atletiko, për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Diego Simeone. Gjithçka mbetet e hapur deri në fund të merkatos, por e sigurt është se Hysaj tek Napoli po gjen pak hapësira, sidomos me ardhjen e trajnerit Karlo Ançeloti për shqiptarin qëndrimi në Napoli duket si një “malore” e papërballueshme. Ndërkohë, sa i takon Kombëtares, Hysaj ka pasur probleme në ndeshjet e luajtura në kuadër të Ligës së Kombeve, Divizioni C, kiu Shqipëria zuri vendin e fundit në grupin e parë të kësaj lige. Nga Hysaj pritet më shumë në eliminatoret e Euro-2020, pasi ai konsiderohet futbollisti më i mirë i Kombëtares dhe një lider i grupit. Por ende Hysaj nuk ka mundur ta zëvendësojë Loirik Canën me shiritin e kapitenit në krah. Ai ende nuk po e shfaq veten si një lider i madh dhe kjo lidhet me edicionin me luhatje që ai zhvilloi me Napolin në Serie A gjatë sezonit që lamë pas. Ndaj Islandës dhe Moldavisë pritet të luajë titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes, por trajneri Edi Reja ka provuar jo pak në skemat e tij taktike edhe me Hysajn, pasi e ka angazhuar në disa module taktike edhe si mesfushor i djathtë, duke shfrytëzuar forcën dhe potencialin e tij taktik në këtë repart. Megjithatë, mbetet të shihet se si Reja do të veprojë me mbrojtësin shkodran në dy duelet e radhës së kuqezinjve.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here