Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të caktojë gjyqtarë për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në disa gjykata në nevojë, duke qenë se skema e delegimit dhe transferimi i përkohshëm është i pamjaftueshëm. Në fokus të KLGJ ka qenë edhe çështja e Emiljano Shullazit tek Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Me qëllim që kjo dosje të shqyrtohet, KLGJ ka caktuar kryetaren e Gjykatës së Apelit Korçë, Etleva Temo si pjesë e trupës gjykuese për çështjen në fjalë. “Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Korçë, Etleva Temo, caktohet në përbërje të trupit gjykues për të gjykuar për llogari të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, çështjen penale në ngarkim të të pandehurve: Emiljano Shullazi, Endrit Zela, Endrit Qyqja, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi; të akuzuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 109/b/1 e 28/4, 238 e 28/4, 152/1, 278/2, 333/a/1, 334/1 të Kodit Penal”, thuhet në vendimin e KLGJ. Me vendim të KLGJ kanë lëvizur edhe disa gjyqtarë të tjerë. Midis tyre mund të përmendim gjyqtarët e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gjovalin Përnoca, Sokol Binaj dhe Idriz Mulkurti të cilët janë caktuar në përbërje të trupit gjykues për të gjykuar për llogari të Gjykatës së Apelit Vlorë, çështjen penale me kërkues: Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; i kallëzuar: Çlirim Sino; i dëmtuar: Luftar Buzi; me objekt: “Pushimi i procedimit penal”. Nga ana tjetër, gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gjovalin Përnoca është caktuar edhe në përbërje të trupit gjykues për të gjykuar për llogari të Gjykatës së Apelit Vlorë, çështjen penale me kërkues: Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë; kallëzues (viktima): Artan Papaj; me objekt: “Pushim i procedimit penal të regjistruar për veprën penale të “Mashtrimit”. “Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Shkodër, Aleks Nikolli (relator), Selim Kryeziu dhe Vojsava Osmanaj, caktohen në përbërje të trupit gjykues për të gjykuar për llogari të Gjykatës së Apelit Korçë, çështjen penale me kërkues: Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë; me objekt: “Pushim çështje penale””, vijon më tej vendimi i KLGJ.