Pushtetarët që refuzojnë të deklarojnë pasurinë janë kthyer në një problem shqetësues për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. Gazeta ka siguruar raportin e monitorimit të performancës të ILDKPKI, teksa theksohet se ky institucion gjatë 4 mujorit të parë të këtij viti është detyruar të pajtojë Shërbimin Përmbarimor për të vjelë gjobat që iu ka vënë zyrtarëve që kanë fshehur pasurinë. Bëhet fjalë për plot 20 raste, për të cilat Inspektorati i Kontrollit të Pasurisë ka kërkuar ndihmën e përmbarimit. “Të ardhurat nga veprimtaria e ILDKPKI, vijnë kryesisht nga: Arkëtimi i gjobave të vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore, gjatë zbatimit të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe të Disa Nëpunësve Publikë” i ndryshuar, parandalimit dhe goditjes së korrupsionit në sektorin publik e privat, në përputhje me ligjin nr.50/2016, datë 2.6.2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” nga subjekte në sektorin publik dhe privat. Për 4-mujorin e parë të vitit 2019, janë gjithsej 8 raste, në vlerën 2,360,000 lekë; Ekzekutimi i detyrueshëm nga Zyrat Përmbarimore të rretheve për gjobat e vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore si dhe vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë. Për këtë periudhë vjetore janë ekzekutuar tërësisht gjithsej 20 raste, në vlerën 2,724,000 lekë”, thuhet në raport.Kjo do të thotë që janë zyrat e përmbarimit ato që kanë ekzekutuar pagesat ç’ka përkon me 20 raste.
Në skaner të gjithë familjarët e pushtetarëve
Më tej, në raportin e monitorimit të performancës, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit thekson se gjatë vitit 2019 në skaner të kontrollit dhe hetimit të pasurisë do të futen të gjithë pushtetarët, përfshi këtu familjarët e tyre. “Hetimi mbi pasuritë dhe burimin e të ardhurave të personave jo zyrtarë që kanë interesa të përbashkëta me subjektin deklarues dhe forcimi i punës për zbulimin e rasteve të fshehjes apo deklarimit të rremë të zyrtarëve që abuzojnë me pushtetin; Parandalimi i rasteve të pasurimit në rrugë abuzive të zyrtarëve dhe të personave të lidhur me ta; Parandalimi i rasteve të konfliktit rast pas rasti apo të vazhdueshëm të interesave të zyrtarëve që ushtrojnë funksione publikë; Penalizmi i rasteve të abuzimit nga zyrtarët me funksionet e tyre publike”, thuhet në raport.
Fondi për Shpenzimet
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit ka raportuar edhe të dhënat për shpenzimet e bëra nga institucioni, të cilat për 4 mujorin ishin planifikuar në nivelin 55.3 milionë lekë. Por referuar raportit që disponon gazeta, shpenzimet janë realizuar në total 43.9 milionë lekë ç’ka është sa 79 për qind e planit. Kursimi duket se lidhet me faktin që nuk janë zbatuar shpenzimet për investime ndërkohë që është kursyer edhe një pjesë nga fondi i pagave. “Fondi për shpenzimet në zërin Mallra dhe Shërbime (zëri 602), Realizimi për grupin e shpenzimeve operative per 4- mujorin 2019 është gjithsej në vlerën 5,330,478.64 lekë me tvsh ose 53.7% e fondit të planifikuar për këtë periudhë, duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi. Për 4-mujorin e parë të vitit 2019, realizimi në grupin e shpenzimeve operative është mbështetur duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi. Diferencat në vlerë përbëjnë kursime gjatë procesit të prokurimit të cilat janë rishpërndarë sipas nevojave më të domosdoshme të institucionit”, thuhet në raportin e ILDKP.
Rigels Seliman