Dyshimet mbi financimin e partive shqiptare sa vijnë dhe rriten. Përveç miliona lekëve që shpenzohen në fushatë dhe nuk deklarohen, PD, PS dhe LSI kanë bërë batërdi dhe me lobimet në SHBA gjatë 3 viteve të fundit, duke shpenzuar në total rreth 1.5 milionë dollarë. Çështja e lobimeve ka shkaktuar mjaft debate në vendin tonë, pasi PD dyshohet se ka fshehur financimet dhe ka pasur lidhje me rusët. Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka nxjerrë të dhënat e fundit sa i takon lobimeve në SHBA nga Shqipëria. Gjatë viteve 2016, 2017 dhe 2018, partia që mban kreun është PD, ndërsa më pas vijnë PS dhe LSI. Marrëveshja më e fundit e PD është me “Sonoran Policy Group LCC”, me vlerë 40 mijë dollarë. Pak javë më parë doli në pah se si PD e përdorte lobimin përmes kësaj kompanie për të ndikuar te ambasadori i ri që do të zgjidhet nga SHBA në vendin tonë. Në fakt kjo është kontrata me vlerën më të vogël, pasi në rastet e tjera ka shifra shumë të larta. PD ka firmosur fillimisht një marrëveshje me “Barnes & Thornburg, LLP”, për 6 muaj dhe kostoja e lobimit ka qenë 50 mijë dollarë në muaj, pra 300 mijë dollarë në total. Më vonë është firmosur një marrëveshje me “Baron Public Affairs, LLC”, me një afat tre mujor dhe me kosto15 mijë USD në muaj, pra 45 mijë dollarë. Kontrata e fundit është me “Muzin Capitol Partners, LLC”, ku ka pasur një kosto prej 675 mijë dollarësh. Bëhet fjalë për kontratën për të cilën PD është nën hetim në Shqipëri dhe në SHBA.
PS dhe LSI
Sa i takon LSI, partia ka firmosur fillimisht një kontratë me “Global Security and Innovative Strategies, LLC”, me një kosto prej 267,804 dollarë për 6 muaj. Në janar 2017, LSI ka paguar dhe kompaninë e lobimit “McKeon Group” me 15 mijë USD. Nëse i mbledhim shpenzimet e të gjitha partive, rezulton se në dy vitet e fundit kanë shpenzuar për lobime plot 1.582.000 USD. Në KQZ këto parti kanë deklaruar shumë herë më pak. Sipas raportit, Partia Socialiste fillimisht ka lidhur marrëveshje me “Ballard Partners”, me afat një vjeçar. Marrëveshja ka hyrë në fuqi më 1 prill të 2017 dhe ka skaduar më 31 mars 2018. Pakti është arritur mes drejtorit të Komunikimit në Kryeministri Endri Fuga dhe kreut të kompanisë. Kostoja e kësaj marrëveshjeje ka qenë 20 mijë dollarë në muaj, ose 240 mijë dollarë në vit. Ajo që bie në sy është se PS dhe LSI 2 vitet e fundit nuk kanë kryer lobime në SHBA, pas skandaleve të shpërthyera. Pak vite më parë ishte dhe kryeministri Rama që u akuzua se kishte paguar për një foto me Barack Obamën, ndërsa Meta po ashtu dyshohet se përdori kompanitë e lobimit për të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trump.
Lobimet e tjera
Sipas të dhënave të Departamentit të Drejtësisë, ka pasur dhe individë të tjerë, apo televizione që kanë kryer lobime në SHBA. Po ashtu, në listë është dhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Ky i fundit ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë 10 mijë dollarë. Llalla punësoi në fillim të këtij viti studion ligjore “Sher Tremonte LLP” për të kundërshtuar vendimin e Departamentit të Shtetit, i cili ka ndaluar ish kreut të akuzës hyrjen në SHBA për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion. Sipas të dhënave të deklaruara nga Sher Tremonte LLP për periudhën 1 janar – 31 mars, Llalla ka paguar afërsisht 10 mijë USD në tarifa dhe shpenzime për studion ligjore amerikane. Llalla po bën gjithçka është e mundur për të dalë nga lista e zezë e SHBA, ndërkohë që është dhe nën hetim. Ajo që bie në sy është se vetëm në vitin 2017 janë shpenzuar në total 1.1 milionë dollarë për lobime nga Shqipëria. Ndërkohë, gjatë 2018 dhe muajt e parë të 2019, kjo shifër shkon në 50 mijë USD. Pra janë miliona e miliona lekë që dalin jashtë dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Ja shpenzimet e partive për lobime
PD- “Sonoran Policy Group LCC”, 40 mijë dollarë
PD- “Barnes & Thornburg, LLP”, 300 mijë dollarë
PD-“Baron Public Affairs, LLC”, 45 mijë dollarë
PD- “Muzin Capitol Partners, LLC”, 675 mijë dollarësh
PS- “Ballard Partners”, 240 mijë dollarë
LSI- “Global Security and Innovative Strategies, LLC”, 267,804 dollarë
LSI- “McKeon Group”, 15 mijë USD
PD lobime për ambasadorin e ri të SHBA
Përveç lobimeve për të bërë foto me Donald Trump, Lulzim Basha ka tentuar të ndikojë dhe në zgjedhjen e ambasadorit të ri të SHBA në vendin tonë. Donald Lu ishte shumë kritik dhe sytë e demokratëve kanë qenë gjatë gjithë kohës në SHBA, me shpresën se pas Lu do vinte një ambasador që do i mbështeste ata. Për këtë arsye PD ka vënë në lojë kompanitë lobuese, për të ndikuar sadopak në vendimin e senatit Amerikan. Pak kohë më parë, në media kanë dalë në dritë dokumente, dokumente që i ka në dispozicion dhe gazeta, të cilat tregojnë se si PD ka lobuar plot 11 herë në Senatin Amerikan, për të vendosur mbi propozimin e Donald Trump për të emëruar Kathleen Ann Kavalec ambasadore në Shqipëri. Emri i saj u refuzua si për çudi.
Kliti Topalli