Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi pak ditë më parë të s’kualifikojë nga gara për në Gjykatën Kushtetuese pesë kandidatë. KED momentalisht është në fazën e vlerësimit të secilit emër që kërkon të zërë një karrige në Gjykatën Kushtetuese, por gjatë kësaj faze janë gjetur edhe probleme me pretendentët. Më konkretisht, KED ka përjashtuar nga gara Ardita Sulën, Denar Bibën, Kristaq Trajën, Vasil Bendon dhe Kostandin Kazanxhin. Por cilat ishin arsyet që e çuan Këshillin e Emërimeve në Drejtësi drejt këtij vendimi? Gazeta ka arritur të sigurojë dokumentet ku KED argumenton vendimet për përjashtimin nga gara të emrave të lartpërmendur dhe ajo që bie në sy është fakti se të gjithë ata kanë patur probleme me plotësimin e formularit të pasurisë. Sa i takon rastit të Ardita Sulës, KED thotë në vendim se ajo nuk e ka dorëzuar deklaratën e pasurisë brenda afatit ligjor 15 ditor. “Këshilli vëren se nga aktet e procedurës së verifikimit rezulton që kandidatja Ardita Alsula e ka dërguar Deklaratën e plotësuar të pasurisë në adresën e ILDKPKI me postë në datën 26.04.2019, pra një ditë përtej afatit ligjor 15 ditor të parashikuar nga pika 2 e nenit 235 të ligjit nr. 115/2016””, thuhet në vendimin e KED.
Përjashtimi i emrave të tjerë
Probleme me dorëzimin e deklaratës së pasurisë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka kapur edhe Denar Bibës. Ai nuk është paraqitur fare pranë ILDKPKI për ta dorëzuar deklaratën. “Për shkak të mos-respektimit të detyrimit ligjor për dorëzimin pranë ILDKPKI të plotësuar të Deklaratës së Pasurisë dhe Interesave Privatë të Kandidatit për Pozicione të Ndryshme në Institucionet e Sistemit të Drejtësisë ose për dorëzimin e saj tej afatit 15 ditor të përcaktuar nga pika 2 e nenit 235 të ligjit nr. 115/2016 apo dorëzimin e kësaj deklarate të plotësuar pa respektuar kushtet që përmban ligji nr. 9049/2003, kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese nuk plotëson edhe njërin prej kushteve ligjore të kandidimit të parashikuar nga dispozita e posaçme e shkronjës “dh” të pikës 1 të nenit 7/a të ligjit nr. 8577/2000 pra që: “të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij sipas ligjit””, thuhet në vendim. I njëjti problem si ai i Denar Bibës është konstatuar edhe kandidatët Kristaq Traja, Vasil Bendo dhe Kostandin Kazanxhi.
Komisioni i Monitorimit kritika KED
Por teksa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po punon me verifikimin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, Komisioni i Pavarur për Monitorimin e Ecurisë së Reformës në Drejtësi ka kritika për këtë proces. Sipas një raporti të Komisionit të Monitorimit, KED duhet të përcaktojë afate për vlerësimin e kandidatëve dhe pikëzimin e kritereve. “Në vlerësimin e Komisionit të Pavarur, vendimi nr. 5/2019 duhet të jetë ezaurues në trajtimin e të gjitha çështjeve që janë deleguar, referuar parashikimeve të nenit 240 pika 6 të ligjit 115/2016 ndërkohë që ai ende lë hapësira për interpretime në metodologjinë e pikëzimit të kritereve. Për më tepër vendimi nr. 5/2019 nuk ka përcaktuar një afat konkret kohor brenda të cilit do të miratohet kjo metodologji. Sjellim në vëmendje se aktualisht KED ka filluar procesin e verifikimit të kandidaturave dhe aktet të cilat duhet të normojnë procesin e vlerësimit dhe renditjes së tyre rezulton se nuk janë miratuar ende plotësisht dhe për më tepër nuk jepet një afat specifik dhe i qartë kohor për miratimin e tyre”, thuhet në raportin e Komisionit të Pavarur.
Mimoza Ibra