Rregullorja e KLGJ, ja rastet kur kryhet transferimi i përkohshëm në gjykata, lëvizje pa pëlqim kur asnjë gjyqtar nuk shpall intere

0
476

Postuar: 05/06/2019 – 08:00

Duke qenë se shumë prej gjykatave në vend vuajnë mungesën e gjyqtarëve për shkak të shkarkimeve të shumta nga procesi i vetingut, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar një rregullore që deri diku e rregullon këtë situatë. Rregullorja përcakton rregullat për transferimin e përkohshëm të një gjyqtari në një gjykatë që ka mungesë stafi. Sipas rregullores, transferimi i përkohshëm i gjyqtarit kryhet vetëm kur nevoja e gjykatës nuk mund të plotësohet nëpërmjet skemës së delegimit. “Transferimi i përkohshëm i gjyqtarit kryhet vetëm atëherë kur në gjykatën në të cilën do të transferohet ka të paktën një pozicion të lirë të përkohshëm. Transferimi i përkohshëm i gjyqtarit nuk kryhet nëse efekti negativ që shkakton në gjykatën e tij, çmohet nga Këshilli se, është më i madh se dobia që ai pritet të sjellë në gjykatën ku do të transferohet. Për këtë qëllim Këshilli në çdo rast merr mendimin e kryetarit të gjykatës ku gjyqtari është i caktuar në mënyrë të përhershme. Transferimi i përkohshëm bëhet ndërmjet gjyqtarëve nga gjykatat me ngarkesë më të ulët, duke filluar nga gjykatat më të afërta apo ato brenda të njëjtit juridiksion apelit me gjykatën në nevojë. Në rast se ka më shumë se një gjyqtar që jep pëlqimin për transferim të përkohshëm në një gjykatë konkrete, Këshilli vendos të përzgjedhë atë kandidat që vjen nga gjykata me ngarkesën mesatare më të ulët për gjyqtar”, thuhet në rregullore. Por në rast se asnjë gjyqtar nuk shpall interes për t’u transferuar përkohësisht, atëherë KLGJ e kryen këtë procedurë edhe pa pëlqim. “Transferimi pa pëlqim bëhet sipas kushteve dhe kritereve të mëposhtme: kur asnjë gjyqtar nuk jep pëlqimin për t’u transferuar përkohësisht në një gjykatë; gjyqtari ose gjyqtarët duhet të jenë nga gjykatat me ngarkesën mesatare më të ulët për gjyqtar, të asaj shkalle për të cilën kërkohet transferimi; gjyqtari duhet të jetë me përvojën më të pakët si gjyqtar në atë gjykatë; gjyqtari duhet të përmbushë kriteret për pozicionin që kërkohet për t’u transferuar përkohësisht; gjyqtari duhet të vijë nga gjykata e vendosur në të njëjtin juridiksion territorial të Gjykatës së Apelit, mundësisht të ndodhur sa më pranë gjykatës nga e cila vjen gjyqtari”, përcaktohet në rregullore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here