Postuar: 05/06/2019 – 07:50
Opozita shqiptare e kryesuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim po proteston prej gati 4 muajsh kundër qeverisë. Këto protesta janë parë nga eksponentët e opozitës si e vetmja mënyrë që do të detyrojë kryeministrin Edi Rama që të reflektojë, ndërsa për mazhorancën këto tubime janë shenjë dëshpërimi që Basha, Berisha dhe Kryemadhi po përdorin në kushtet ku sipas saj, ata janë të frikësuar nga reforma në drejtësi. Megjithatë, pavarësisht këtyre përplasjeve politike në distancë, opozita ia ka dalë të protestojë plot shtatë herë para Kryeministrisë, duke shkaktuar edhe dhunë. Por këto protesta, madje edhe ajo e paralajmëruar nga opozita janë pasqyruar ditën e djeshme edhe në mediat botërore. Ka qenë agjencia prestigjoze “Reuters”, e cila ka publikuar dje një artikull lidhur me protestën e fundit të opozitës, por dhe për protestën që pritet të mbahet të shtunën në 8 qershor ora 19:00. “Reuters” shkruan se mijëra qytetarë shqiptarë dolën në rrugë duke protestuar dhe duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Madje, media në fjalë citon edhe kryedemokratin Lulzim Basha, duke theksuar se protesta e së shtunës do të jetë ndryshe nga të tjerat, pasi do të jetë populli që do ta marrë në dorë. “Shumë qytetarë dhe efektivë policie u plagosën nga “bombat molotov” dhe nga dhuna e ushtruar nga vetë protestuesit. Protesta e radhës është do të jetë vendimtare për Shqipërinë. Lideri i opozitës, Lulzim Basha, tha se s’ka më kohë për fjalë dhe pritet që situata në protestën e fundit të jetë shumë e ‘nxehtë’”, shkruhet në artikull. Ndërkohë, agjencia prestigjioze “Reuters” ngre alarmin se protestat e dhunshme të opozitës shqiptare, mund të kenë impakt negativ jovetëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe për vetë rajonin e Ballkanit, duke theksuar kështu turizmin. “Një protestë aq masive dhe e dhunshme mund të jetë e rrezikshme për negociatat e Shqipërisë por dhe ekonominë e të gjithë Ballkanit pasi trazirat e shumta do të ndikojnë negativisht pranë sezonit turistik. Turistët britanikë por dhe të huajt kanë frikë se trazirat politike në Shqipëri do të kenë influencë në Maqedoninë e Veriut por dhe në Greqi dhe duket që rastet e dhunës do t’i ndalojnë ata për të udhëtuar në Ballkan për pushime”, analizon më tej “Reuters”. Në përfundimi të artikullit, agjencia prestigjioze “Reuters” pyet se a do të arrijë protesta e opozitës të rrëzojë kryeministrin, duke shtuar se këtë përgjigje mbetet për ta marrë, të shtunën e 8 qershorit.