Opozita joparlamentare protestoi të dielën e 2 qershorit para Kryeministrisë, me qëllim rrëzimin e qeverisë. Protesta nisi rreth orës 19:00 dhe zgjati rreth 3 orë. Në fillim të saj protesta nisi e qetë, duke dhënë sinjale se do të kalonte pa incidente. Por nuk ndodhi kështu, pasi kur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ftoi turmën e protestuesve të marshonin drejt Parlamentit, situata aty doli jashtë kontrollit. Protestuesit sulmuan gardhin, ndërsa gjuajtën me gurë dhe fishekzjarrë në drejtim të forcave të policisë. Kjo e fundit iu kundërpërgjigj me ujë dhe gazlotsjellës, duke shpërndarë kështu turmën. Mirëpo, në këtë tubim përveç përplasjes me uniformat blu, pati edhe përplasje mes protestuesve, ku për rrjedhojë ish-bodigardi i Sali Berishës dh djali i tij, u dhunuan barbarisht nga protestues të tjerë. Të dy të dhunuarit morën plagë dhe përfunduan në spital. Ndërkohë që mediat publikuan edhe pamjet e sherrit. Por ditën e djeshme, mësohet se Policia e Shtetit ka arrestuar njërin nga protestuesit që qëlloi ish-truprojën e Sali Berishës dhe djalin e tij në protestën e 2 qershorit në bulevard. Ai është Z. S. nga fshati Xhafzotaj i Durrësit, militant i LSI. Mediat kanë publikuar pamjet e momentit kur 43-vjeçari që është invalid, godet me patericë Çelën dhe djalin e tij, ndërsa gjatë përleshjes rrëzohet në bulevard. Ai është një person me precedent të theksuar penal, pasi ka qenë dënuar më parë për trafik droge, mbajtje pa leje të armëve, municioneve dhe lëndëve shpërthyese. Tashmë 43-vjeçari akuzohet për plagosje të rëndë me dashje dhe prishje të qetësisë publike. Ndërkohë që, disa media kanë zbuluar edhe arsyet e sherrit që përfundoi në përdorimin e shufrave të hekurit. Sherri ka nisur në momentin që një grua me flamurin e LSI-së në dorë po kalonte para Çelës dhe djalit të tij. Në këtë moment Erjon Çela mësohet se i ka thënë se “hiqe atë flamur”. Pas fjalëve të Erjon Çelës në ndihmë të militantes së LSI-së ka shkuar pikërisht Zamir Sijani invalid me paterica duke iu përgjigjur djalit të ish-bodigardit të Berishës se “nuk ka përse ta heqë flamurin”. Debati mes Erjon Çelës dhe Sijanit kaloi në ofendime dhe djali i ish-bodigardit goditi me grusht invalidin 43-vjeçar. Në këtë moment ndërhyjnë personat e tjerë që e njihnin Sijanin, por edhe gruan që u bë shkak për sherrin duke sjellë përleshjen.