Lëvizja Socialiste për Integrim duket se është penduar që nuk është regjistruar për zgjedhjet vendore. Një ndër drejtuesit kryesorë të kësaj force politike, ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka kërkuar nga opozita shqiptare që të mos bojkotojë zgjedhjet vendore të 30 qershorit, pasi sipas tij PD-LSI fiton shumicën e bashkive në vend. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai u shpreh se qeveria duhet të mundet në procesin zgjedhor dhe jo të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. “Nëse opozita hyn tani në zgjedhje, pa fushatë fare fiton bindshëm në: Shkodër, Lezhë, Kukës, Bulqizë, Mat, Laç, Kamëz, Vorë, Cërrik, Sarandë, Delvinë, Rrogozhinë, Kavajë, Çorovodë, Finiq, Tropojë, Konispol e Pustec. Me një kandidat të mirë dhe me pak fushatë fiton: Elbasanin, Tiranën (me pak vota diferencë), Hasin, Pukën, Dibrën, Krujën, Mallakastrën, Korçën, Kuçovën, Urën Vajgurore, Selenicën, Peqinin, Përmetin dhe Këlcyrën. Por kushti është që opozita të jetë unike dhe e organizuar mirë në terren. Prandaj Rama nuk ka interes të dialogojë për të lejuar Opozitën të konkurrojë se është humbës! Ndoshta vërtetë opozita duhet të konsiderojë opsionin hyrje në zgjedhje, qoftë dhe me një shtyrje minimale të datës së zgjedhjeve, sa për të lejuar KQZ të bëjë regjistrimet dhe përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Ndoshta, them me kaq informacion sa kam nga lajmet. Por edhe nga ndjesia e përgjithshme që ekziston nga frika e përplasjeve të dhunshme”, u shpreh Manjani. Ish ministri i Drejtësisë deklaroi se opozita duhet të mundë qeverinë në zgjedhjet vendore dhe më pas të përgatitet për të rrëzuar kryeministrin në zgjedhjet qendrore. “Opsioni që të ikë Rama që të fitohen zgjedhjet më duket i drejtë, por jo i dëshiruari. Edi Rama duhet mundur në pushtet, aty ku është, tani në zgjedhje lokale dhe pak më vonë në zgjedhjet politike. Jam i bindur se është plotësisht e mundshme që të mundet megjithë potencialin kriminal, financiar e propagandistik që ka! Jam i bindur sepse ka kaluar çdo limit konsumi dhe arroganca e tij është gropa politike që i ka hapur vetes. Por mendim e kam këtë që sapo shkrova. Mbase shërben ndokund”, shkruan Manjani.