PDIU drejt kapitullimit, shumica e anëtarëve ikin me PS, pas Kryemadhit edhe Idrizi në panik nga një 17 maj i dytë

0
344

Bojkoti i zgjedhjeve vendore pritet të sjellë fundin e aleatëve të vegjël të Lulzim Bashës. Shumë parti në koalicion me Partinë Demokratike përfaqësimin më të madh e kanë pasur në pushtetin vendor përmes këshilltarëve bashkiakë. Por, duke bojkotuar zgjedhjet dhe duke dalë nga Parlamenti, një pjesë e tyre duket se kanë firmosur shkrirjen. Dy më të rrezikuarit janë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet. Kjo e fundit, Përveçse nuk ka asnjë përfaqësues në Parlament, duket se po braktiset vrullshëm ditët e fundit nga përfaqësuesit e saj në pushtetin vendor. Një ndër emrat e parë që ka ikur është Vjollca Braho, aktualisht nënkryetare e këshillit bashkiak të Tiranës. Ajo është në listën e kandidatëve të PS këtë vit, duke braktisur në këtë mënyrë Idrizin. Po ashtu, këshilltarë të tjerë të PDIU në këshillin bashkiak të Tiranës janë bashkuar me PS. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në shumë bashki të tjera, çka po tregon se partia e Shpëtim Idrizit po shkon drejt humnerës. Nëse nuk do të kemi marrëveshje deri në 30 qershor, PDIU është e para që zhduket, pas saj vjen LSI dhe PD do nis të rrudhet.

Idrizi në panik nga një “17 maj” i dytë

Pas braktisjes së këshilltarëve bashkiak, Shpëtim Idrizi është në panik nga një marrëveshje e dytë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha. PDIU ishte partia e parë që u dëmtua nga pakti Rama-Basha dy vite më parë, çka solli edhe nxjerrjen e vetë Idrizit jashtë Parlamentit. Ditën e djeshme gjatë një interviste televizive, Idrizi ka kërkuar që nëse do të ketë një tjetër marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës, të pranishëm në tryezën e diskutimit të jenë të gjithë aleatët e djathtë. Kërkesa e Idrizit vjen nga paniku që ai ka nga shkrirja e partisë së tij. “Nga pikëpamja njerëzore qëndron kompleksi për tu ulur në tryezë me Edi Ramën, por ne besoj që e dimë të gjithë bashkë se sa kemi vuajtur nga një marrëveshje kulisash dhe e mbyllur. Kështu u bënë ndryshimet Kushtetuese në vitin 2008. U ulën dy liderët, u bën siç deshën. Të ulesh për të zgjidhur krizën me një platformë, ku të jenë të gjitha forcat politike, është shumë më e shëndoshe për demokracinë, sesa kur ulen dy veta në një dhomë dhe pas tre orësh nxjerrin ndonjë çudi”, tha Idrizi. Po ashtu, nga frika e shkrirjes së partisë së tij, kreu i çamëve kërkoi ndërhyrjen e presidentit Ilir Meta për të gjetur sipas tij një zgjidhje për krizën politike në vend. “Zoti Meta në rolin e kryetarit të shtetit duhet të jetë i vëmendshëm dhe të luajë kontributin e vet në zgjidhjen e krizës. Çdo lloj negociatori për të gjetur zgjidhjen e krizës është e nevojshme sepse demokracia në fund të fundit është arti i të mundurit. Pro ndërkohë që palët janë shumë larg dhe shkaktar është Kryeministri, i cili shkruan 7 letra, ky njeriu që erdhi si shërbëtor dhe modern i Tëitterit, Facebook-ut dhe komunikimit, tani u kthye në vitin 1920 dhe shkruan letra romantike, ku të gjitha mbarojnë hajdeni për dialog por kam frikë se ju do ikni dhe 30 qershori nuk shtyhet. Akoma nuk shoh një reflektim nga ana e mazhorancës, apo Edi Rama se ai është Kryeministër dhe ka në dorë krizën. Ai duhet të bëjë veprime konkrete”, u shpreh Shpëtim Idrizi.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here