Në Korçë ka nisur edicioni i 16 i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “Albamono”. Këtë herë festivali zhvillohet në mjedise dhe skena të ndryshe. Në vitet që ky festival është zhvilluar ka sjellë në skenën e tij artistë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj. Edhe këtë vit mes përfaqësuesve nga Kosova dhe Shqipëria nuk mungojnë dhe të tjerë artistë, që vijnë nga shtetet të ndryshme. Drejtori i festivalit regjisori i njohur Dhimitër Orgocka shprehet se ky festival jo vetëm ka rëndësi për jetën teatrore, por dhe për promovimin e turizmit në vend. “Është krijuar një atmosferë për ta pasur zili. Krahas shkëmbimit kulturor që bëhet midis shteteve të ndryshme sidomos sa i takon monodramës që kërkon një punë dhe impenjim të jashtëzakonshëm nga çdo aktor që përfaqëson vendin e tij, ne si organizatorë i kemi dhënë shumë rëndësi dhe për turizmin kulturor. Ne trupat i shëtisim në vende të ndryshme. Ne ishim në Moravë, kemi në plan të shkojmë në Voskopojë, ishim në Pyllin e Fazanëve në Maliq, dhe planet do të vijojnë duke bërë vizita edhe në muzetë e Korçës. Pra ne i japim rëndësi dhe zbërthimi të traditës dhe kulturës në qarkun e Korçës”, shprehet regjisori dhe drejtori i festivalit Dhimitër Orgocka “Mjeshtër i Madh”. Këtë vit sipas regjisorit Dhimitër Orgocka festivali, që nisi më datë 2 qershor do ta ketë shfaqjen e fundit në skenë mbrëmjen e datës 8, ku do të jetë dhe ndarja e çmimeve në teatrin “Andon Zako Çajupi”. “Grupet artistike janë nga Greqia, Kosova, Mali i Zi, dy nga Rusia, Franca, Shqipëria dhe Izraeli. Pra ne kemi tetë grupe, që konkurrojnë për çmimet që do të ndahen mbrëmjen e datës 8 qershor në teatër dhe janë perfomanca më e mirë, aktori më i mirë, aktorja më e mirë dhe regjisura më e mirë”, shton më tej regjisori Orgocka.
Konkurrenca në festival
“Albamono” nuk është thjesht një festival ndërkombëtar i monodramës, por dhe një eksplorim bashkëkohor i mundësive teatrore. Të gjitha këto elemente sipas organizatorëve e bëjnë këtë festival stimulues dhe produktiv. Ky festival që po vijon prej vitesh dhe këtë vit shënon edicionin e 16 sipas organizatorëve ka hapur një pamje të çmuar për të gjithë artistët shqiptarë, duke qenë në kontakt me teatrin bashkëkohor botëror. Por drejtor i këtij festivali regjisori i njohur Dhimitër Orgocka vijon se është dhe një konkurrencë tepër profesionale mes aktorëve. “Ne e ndjejmë çdo ditë që artistë që vijnë nga trupat e ndryshme kanë një ipenjim për t’u pasur zili, që dhe ata të nderojnë veten e tyre dhe vendet e tyre, një konkurrencë tepër profesionale dhe e rëndësishme”, pohon regjisori Dhimitër Orgocka. Në juri këtë vit janë anëtarë që vijnë nga Greqia, Shqipëria dhe Kosova. Ceremonia e hapjes së festivalit u bë në parkun e Fazanëve në Maliq, për të vijuar më pas me monodramat në skenat e tjera. Deri tani janë shfaqur monodrama nga trupa greke, nga Kosova dhe Mali i Zi për të vijuar më pas dhe me shfaqjet e tjera. Shqipëria përfaqësohet në këtë festival me monodramën “Dome” shkruar dhe me regji nga Stefan Çapaliku. Vepra do të jetë me interpretimin e aktorit Enver Hyseni në Katedralen e Korçës. Shkrimi i saj është produkt i një vëmendje të zgjuar gjatë bisedave të gjata mes autorit dhe aktorit ndër procese pune apo ndenje të rastësishme. Ajo që i ka bërë përshtypje autorit gjatë këtyre bisedave ka qenë gjithmonë sinqeriteti i thellë me të cilin Enver Hyseni tregonte aspekte të ndryshme të jetës së vet, që rrinin të lidhura ngushtë me epokën, së cilës i përkisnin.
Nga Julia Vrapi