Jep llogari sot para KPK, zbardhet pasuria e deklaruar nga kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro

0
466

Kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro do të dalë sot para trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të dhënë llogari për pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale. Pasuria është kriteri që ka “fundosur” shumë gjyqtarë e prokurorë, por mbetet të shihet se cili do të jetë fati i Hajros. Në pritje të seancës dëgjimore dhe vendimit të KPK, Birn ka zbardhur deklaratën e pasurisë që Enkeledi Hajro ka dorëzuar pranë ILDKP. Sipas të dhënave, në vitin 2003 gjyqtarja ka deklaruar pasuri me vlerë 3.9 milionë lekë, por deri në fund të vitit 2017 kjo pasuri është rritur me katër herë duke kapur vlerën e 18 milionë lekëve. Pasuria e vitit 2003 përbëhej nga një apartament në Shkodër në bashkëpronësi me nënën. Sipas deklaratës së Hajros, ky apartament ishte përfituar falas nga shteti sepse ka qenë e persekutuar. Ajo ka deklaruar edhe një njësi tregtare me vlerë 2.5 milionë lekë. Pasuritë e patundshme përbëjnë pjesën kryesore me vlerë 13.8 milionë lekë. Përveç pronave të deklaruara në vitin fillestar, Hajro është bashkëpronare e një apartamenti në Tiranë të blerë për 82 mijë euro. Ajo deklaron gjithashtu automjete me vlerë rreth 4 milionë lekë. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese llogariten në 34 milionë lekë. Gjithashtu ajo ka deklaruar xhiron vjetore të lokalit ku bashkëshorti ka qenë ortak në masën 20% të totalit. Sipas deklaratave të kryetares së Gjykatës së Tiranës, këto pasuri janë vënë me burim pagën e saj dhe të bashkëshortit. Po ashtu, Birn ka konstatuar një problem në pasurinë e Enkeledi Hajros. Sipas të dhënave, ajo nuk ka deklaruar shitjen e një automjeti tip “Benz 190” në vlerën e 350 mijë lekëve. Ajo e ka deklaruar këtë shitje vetëm në deklaratën e pasurisë për vitin 2010, por në asnjë prej deklaratave të mëparshme. Gjithashtu në vitin 2006, kryegjyqtarja e Tiranës deklaron xhiron vjetore të një lokali ku bashkëshorti i saj ka qenë bashkë-ortak në vlerën e 7 milionë lekëve, ndërkohë që ligji i detyron subjektet të deklarojnë fitimin neto.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here