Kriza politike që ka mbërthyer vendin rrezikon që të agravohet në ditët në vijim. Të dielën e 2 qershorit opozita protestoi për të shtatën herë para Kryeministrisë, ndërsa nuk munguan edhe incidentet. Ndërkohë që, sinjalet janë se në protestën e së shtunës pritet që të ketë një situatë akoma më të nxehtë. Sipas informacioneve, mësohet se pas protestës së të dielës që lamë pas, situatën brenda opozitës tanimë e ka marrë në dorë ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, sikundër pohuan burimet të sigurta nga selia blu, ia ka bërë të qartë kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha se duke filluar nga protesta e datës 8 qershor, tubimet nuk do të jenë më të qeta por të dhunshme. Po ashtu, mësohet se ish-kryeministri ka organizuar mbështetësit e tij në bazë, duke iu bërë thirrje që të shkaktojnë tensione në protestat e radhës që do të organizojë opozita kundër qeverisë. Madje, ndikimi i Berishës u pa edhe në protestën e fundit të opozitës, ku dhunën dhe incidentet e provokuan një grup i vogël të rinjsh të maskuar, të cilët sipas informacioneve, ishin organizuar qëllimisht dhe janë mbështetës të ish-kryeministrit në bazë. Nga ana tjetër, të njëjtat burime theksuan se planet janë që opozita të organizojë protesta të dhunshme çdo javë, ku kulmi i përplasjeve pritet që të ndodhë më 29 qershor. Po ashtu, mësohet se në kushtet kur baza është stepur, pasi protestat nuk po prodhojnë pritshmëri, pritet që të aplikohen mënyra të tjera demonstrimi. Fillimisht, në protestat e opozitës u pa të goditej me bojë Kryeministria dhe institucionet e tjera të vendit. Më pas institucionet u sulmuan nga protestuesit me bomba molotov. Ndërsa në protestën e 2 qershorit u sulmua policia dhe Parlamenti me mjete të forta piroteknike dhe shashka, teksa nuk munguan edhe përplasjet mes militantëve duke sulmuar njëri-tjetrin me shkopinj e shufra hekuri. Ndërkohë që, pritet të shihet se çfarë skenari do të aplikohet në protestën e së shtunës së datës 8 qershor, ku sipas informacioneve, duke qenë se Berisha ka marrë frenat e organizmit, sinjalet janë se do të ketë dhunë.
Ilir Meta pritet të futet në lojë
Por në kushtet kur situata pritet të degjenerojë në përplasje civile, mësohet se në ndihmë të opozitës pritet të vihet edhe presidenti Ilir Meta. Sipas informacioneve nga selia blu, mësohet se Meta dhe Berisha kanë gjetur dakordësinë me njëri-tjetrin për të shpëtuar opozitën nga humnera. Shpresat e PD-LSI janë se kreu i shtetit mund të nxjerrë një dekret special për të shtyrë datën e zgjedhjeve, duke përfituar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese, por edhe duke përdorur si pretekst krizën politike, e cila pas 8 qershorit do të jetë akoma më e ashpër. Pritet që PD të kërkojë ndërhyrjen e Metës, duke i kërkuar të shtyjë zgjedhjet, por dhe pse jo të shpërndajë argumentin, me pretekstin se nuk është krijuar kuorumi i 140 deputetëve. Pra, të gjitha këto skenarë janë hedhur në tryezën e diskutimeve nga opozita dhe presidenti, për të dëmtuar mazhorancën dhe shpëtuar Bashën, Kryemadhin dhe Berishën nga dalja nga skena politike. Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë qëndrimi do të mbajë mazhoranca qeverisëse, nëse Meta dhe Berisha vënë në zbatimi këto skenarë, pasi të gjithë liderët e PS kanë deklaruar se kreu i shtetit nuk ka tagër të shtyjë datën e zgjedhjeve lokale, madje edhe të shpërndajë Parlamentin.
Rigels Seliman








































