Veseli “skanon” Islandën: Është në rënie dhe me probleme, e mundim

0
421

Kombëtarja do të luajë ndeshjen e parë në këtë periudhë me Islandën, më 8 qershor në kryeqytetin islandez, Reikjavik, në kuadër të eliminatoreve të Europianit të vitit të ardhshëm. Për momentin skuadra jonë mban vendin e tretë në grup, pas Francës dhe Turqisë, të cilat kanë nga 6 pikë në dy takime të luajtura, kurse kuqezinjtë kanë katër pikë. Natyrisht, ambicia e do që Shqipëria të fitojë dy duelet e radhës që të jetë brenda objektivave të saj për një kualifikim të mundshëm në Europian, pra që të mundë Islandën në transfertë më 8 qershor dhe më pas Moldavinë në “Elbasan Arena” më 11 qershor. Shanset janë të mira, grupi është i mobilizuar dhe me optimizëm, teksa ka sjellë entuziazëm ardhja e trajnerit veteran Edi Reja. Nga vendgrumbullimi i ri i kuqezinjve, në Frankfurt të Gjermanisë, në konferencën e zakon shme për shtyp që organizon përfaqësuesja nën monitorimin e FSHF-së, foli para gazetarëve mbrojtësi Frederik Veseli, i cili jo vetëm që u tregua optimist për duelin e radhës me islandezët, por kujtoi se kundërshtari ka rënie në rang ndërkombëtar pas një kulminacioni që pati në Europianin e shkuar dhe me kualifikimin në Kupën e Botës “Rusi-2018”. Sipas Veselit, tani gjërat do të jenë më të lehta për Kombëtaren kuqezi, e cila ka në ambicien e saj fitoren në Reikjavik. Madje Veseli beson se Shqipëria mund të ringrihet me trajnerin Edi Reja, pse jo të marrë 6 pikë në dy takimet e radhës për “Euro 2020”. Ai e nisi komentin e tij para gazetarëve me një krahasim midis ish-teknikut Kristian Panuçi dhe aktualit Edi Reja, që sipas tij janë të ndryshëm në temperament dhe në skemën taktike që ndjekin. “Panuçi dhe Reja janë trajnerë të ndryshëm, secili ka stilin e vet. Edhe në klubin tim kam parë trajnerë të ndryshëm. Nëse nuk do të ishin të ndryshim atëherë s’do të kishte arsye për ta ndërruar trajnerin. Është shumë herët për të vlerësuar punën e trajnerit (Rejës) dhe nuk është qëllimi dhe dëshira ime të jap vlerësime për ta. Unë jam futbollist dhe bëj punën time si çdo pjesëtar i Kombëtares. Kryesorja është të arrijmë rezultatet e kërkuara dhe të fitojmë sa më shumë pikë”, u shpreh Veseli. Sipas tij, Shqipëria ka mundësi të mëdha të marrë gjashtë pikë në këto dy përballje, megjithëse e pranon që në futboll të marrësh maksimumin përballë kundërshtarëve shumë të fortë është shumë e vështirë. “Më 6 pikë në dy ndeshje do të ishim të kënaqur, kjo është e sigurt, por në futboll është e vështirë të fitosh në çdo ndeshje. Qëllimi ynë është të jemi të përqendruar në ndeshjen e parë, të bëjmë një paraqitje pozitive në ndeshjen e parë të trajnerit të ri, më pas të shohim. Sigurisht qëllimi është që të fitojmë”, shtoi më tej Veseli, i bindur se kuqezinjtë e kanë kapacitetin e duhur për të marrë më të mirën në dy përballjet, atë të 8 qershorit ndaj Islandës dhe më pas atë ndaj Moldavisë më 11 qershor. Veseli komentoi pikërisht kundërshtarin islandez, duke thënë se “nordikët” nuk ishin më ata të mëparshmit. “Çdo skuadër kur e arrin kulmin, pëson një rënie, kjo është normale. Në këto momente Islanda nuk është ai ekip që ka qenë para pak vitesh. Shpresojmë ta shfrytëzojmë këtë rast për t’u rritur, pse jo të dalim me fitore”, vijoi komentin e tij mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, dukshëm një favorit për të luajtur në qendër të mbrojtjes me Ardijan Ismajlin e Hajdukut të Splitit, pasi Gjimshiti mungon dhe lojtarët e tjerë si Mavraj, Ajeti e ndonjë tjetër nuk e kanë gjendjen e dy shtatlartëve Veseli e Ismajli në këtë periudhë. Në fund Veseli foli dhe për ambiciet në rang klubi, ku konfirmoi se ka kontratë me Empolin edhe dy vite të tjera. “Kam edhe dy vite kontratë, jam lojtar i Empolit, por nëse do të vinte një mundësi e mirë për mua dhe klubin, do të lëvizja. Jam i sigurt se do të kisha mundësi të luaja në kampionat më të madh. Do të shohim bashkë me klubin, por siç e thashë kam edhe dy vite kontratë”, përfundoi mbrojtësi Frederik Veseli.

Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here