Superiorja e këtij edicioni uli dje siparin, me duelet e javës së 26-të të saj, një javë ku u dhanë edhe verdiktet përfundimtare. Tirana ka shpëtuar dhe mbetet në Superiore pas fitores së saj 3-0 ndaj Flamurtarit, kurse Kamzën në Kategorinë e Parë do ta shoqërojë Kastrioti që u mund nga Kukësi 3-1. Janë përcaktuar edhe skuadrat që do të marrin pjesë në Europë. Ata janë Partizani që do të luajë në Champions League, kurse Kukësi dhe Teuta do të marrin pjesë në Ligën e Europës si vend i dytë dhe i tretë. Sa u takon ndeshjeve, Tirana mposht thellë Flamurtarin 3-0 dhe siguron me meritë e zyrtarisht zyrtarisht mbijetesën në Kategorinë Superiore. Në kryeqytet në stadiumin “Selman Stërmasi”, Tirana kaloi minuta ankthi, pasi pjesa e parë ndaj Flamurtarit përfundoi në barazim pa gola ndërsa Kastrioti ishte duke fituar ndaj Kukësit në Kamzë me rezultatin 0-1, por frika dhe ankthi i bardhebluve përfundoi në harkun e pak minutave nga e 65-ta në të 67-ën kur Albi Doka realizoi dy herë, me golin e dytë që ishte një perlë e vërtetë për të qetësuar tifozët e shumtë në shkallët e stadiumit presidentin Halili në tribunë dhe trajnerin Ardian Mema në stol. Për të vulosur fitoren e Tiranës mendoi Edon Hasani që vulosi rezultatin me golin e 3-0. Me këtë fitore Tirana u ngjit në kuotën e 47 pikëve dhe e mbylli madje kampionatin në kuotën e 47 pikëve pasi përfitoi nga një gol e Eraldo Çinarit në fund që i hoqi fitoren nga duart Luftëtarit dhe i zbriti gjirokastritët në vendin e tetë në kuotë të barabartë pikësh me bardheblutë. Kastrioti ndërkohë ishte në avantazh falë finalizimit të Ersil Ymerajt deri në minutën e 80-të ndaj Kukësit sepse më pas duke parë edhe rezultatin e Tiranës, krutanët hapën portën duke pësuar 3 gola me Kukësin që blindoi vendin e dytë, ndërsa Rexhinaldo i cili realizoi dy herë kundrejt vetëm një goli të Shkurtajt, fitoi betejën me shokun e skuadrës për Këpucën e Artë të Superiores duke e mbyllur kampionatin me 13 gola. Siguroi zyrtarisht kualifikimin në Europa League edhe Teuta që me dy gola në minutat shtesë të Kallakut dhe Kamara mposhti 2-0 Laçin në “Niko Dovana” dhe u ngjit në kuotën e 57 pikëve duke u renditur e treta. Në vend të 4-t u pozicionua Skënderbeu që fitoi 3-0 në tavolinë ndaj Kamzës dhe parakaloi në renditje Flamurtarin. Tashmë korçarët presin një përgjigje pozitive nga CAS dhe që Kukësi të mposhtë Tiranën në finalen e Kupës së Shqipërisë për të luajtur në Europë. Në Gjirokastër ndërkohë në një ndeshje pa objektiva Luftëtari e Partizani u ndanë në një barazim 1-1 me Partizanin që e mbylli kampionatin në kuotën e 70 pikëve iu fal sërish këmbëve të Eraldo Çinarit që realizoi një supergol në minutat shtesë duke barazuar golin e grekut Chanti të Luftëtarit.
Mema: U çlirova, po jetonim një makth
Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, nuk e fshehu gëzimin e tij për qëndrimin e Tiranës në Superiore, duke thënë se kishte përjetuar një makth gjatë këtyre javëve të fundit. “Kur je në stres është e vështirë të përgatitësh ndeshje, më shumë duhet të motivosh lojtarët se të shpjegosh manovra. Ekipi erdhi duke rritur lojën, gjithsesi jam i kënaqur me finishin. Ndeshja e radhës me Kukësin mendoj do të jetë disi më e lehtë për ta përgatitur, do të shkojmë më të qetë drejt finales, do të bëjmë maksimumin për të fituar atë Kupë. Çdo gjë ka kohën e vet, Tirana ka ardhur duke e rritur lojën, ka pasur oshilacione por ka ardhur duke e rritur. Një trajner ose ekip që mirëformohet duhet të vijë pranë ekipit pjesa e karakterit sportiv. Gjithmonë ky ekip ka pasur karakterin sportiv që ka thyer kundërshtarin. Ju e mbani mend shumë mirë se si pësonim gola. Na kthenin ndeshjen brenda pjesës, duhet kohë për të arritur rezultate. Mendoj se ka ardhur duke u rritur loja. Të vërteta i them gjërave që janë të dukshme, ashtu siç i shihni edhe ju me mua bashkë. Dua të jem një njeri me një standard, jo dy apo tre. Gjërat duhen thënë siç janë dhe do ua them shumë shpejt”, u shpreh ndër të tjera trajneri Ardian Mema.
Adriatik BALLA