Ritmet e ulëta të vetingut, KLGJ akuza gjykatave: Sjellin akte të mangëta, ka mos-rakordim për vendndodhjen e dosjeve

0
427

Këshilli i Lartë Gjyqësor e ndal theksin në raportin e tij edhe tek procesi i vetingut për gjyqtarët. Për secilin subjekt rivlerësimi KLGJ ka detyrimin të paraqesë pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një vlerësim, por shpesh herë kjo procedurë zvarritet. Sipas KLGJ, vonesa vjen për shkak të punës jo të mirë të gjykatave. Këshilli i Lartë Gjyqësor i akuzon gjykatat se aktet për gjyqtarët i sjellin të paplota, çka e detyron KLGJ që të ridërgojë shkresën për informacion, duke marrë kështu më shumë kohë. Po ashtu, sipas KLGJ ka një mos-koordinim mes gjykatave për vendndodhjen e dosjeve. “Duke mbajtur parasysh interesin që procesi i rivlerësimit të kryhet pa vonesa dhe duke monitoruar ecurinë e procesit koordinues midis gjykatave, KLGJ dhe KPK deri më tani, evidentohet se: Ka një mos-rakordim nga ana e gjykatave në lidhje me vendndodhjen e dosjeve, gjë e cila sjell një punë voluminoze për të gjurmuar dosjen deri në marrjen e saj. Kjo mungesë informacioni ka sjellë rrjedhimisht vonesa në hartimin e raportit dhe dorëzimin pranë KPK-së. Aktet e nisura nga gjykatat në disa raste kanë patur mangësi dhe kjo ka bërë që kërkesat të ripërsëriten dhe afati i dorëzimit të dokumentacionit të tejzgjatjet”, thuhet në raportin e KLGJ. Aty specifikohet se momentalisht KLGJ ka në proces verifikimi 159 subjekte rivlerësimi. Po ashtu, theksohet se çdo dosje që përgatit KLGJ i dorëzohet edhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. “Aktualisht, inspektorët pranë KLGJ-së, janë në proces hartimi të raportit për 159 subjekte rivlerësimi, duke përfshirë edhe procesin e zhvillimit të shortit dhe pritjes së dosjeve nga gjykatat respektive. Në shtesë të shorteve të plota të përshkruara më sipër, është organizuar shorti i pjesshëm për 3 subjekte të tjera rivlerësimi, të cilët ishin filluar më herët nga ish-KLD. Gjatë gjithë procesit të punës KLGJ ka ndjekur udhëzimet e KPK-së. Gjithashtu me kërkesë të shprehur të ONM-së, i gjithë dokumentacioni që depozitohet pranë KPK-së i është përcjellë edhe ONM-së”, thuhet në raportin vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here