Zgjedhja e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave ka sjellë reagime të forta jo vetëm nga opozita, por edhe nga akademikë dhe pedagogë. Gjinushi nuk kishte asnjë kandidat tjetër përballë për të garuar dhe si kandidat i vetëm ai u zgjodh me 35 vota pro dhe me 6 vota kundër në krye të Akademisë së Shkencave. I vetmi akademik që nuk votoi ishte Artan Fuga. Fuga deklaroi pak ditë më parë se ai nuk do ta njihte këtë proces zgjedhor që sipas tij është farsë dhe rrjedhimisht nuk do të njihte edhe kryetarin e dalë nga këto zgjedhje. Kur ka kaluar vetëm një javë nga zgjedhja e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave, një grup pedagogësh dhe akademikësh kanë filluar firmosjen e një peticioni për ti kërkuar presidentit Ilir Meta të mos e dekretojë. Kjo nisëm është ndërmarrë nga ish zëvendës ministri i Arsimit, Taulant Muka, i cili ka filluar të mbledhë firmat e pedagogëve në versionin “online”. Në peticionin drejtuar kreut të shtetit, pedagogë e akademikë të cilët nuk duan të bëhen publikë, thonë se zgjedhja e Skënder Gjinushit bie ndesh me ligjin për akademinë, i cili thotë se anëtarët e rregullt nuk duhet të kenë poste politike. Kështu, Gjinushi sipas tyre nuk mund të kandidonte për këtë post, pasi ai, të paktën deri 4 prill, kur regjistroi Partinë Social Demokrate për zgjedhjet e 30 qershorit, ishte kryetari i saj. Në peticionin e firmosur nga pedagogët dhe akademikët gjithashtu theksohet se kryetari i ri i zgjedhur nuk ka asnjë kontribut në shkencë, madje rezulton me zero publikime nga të dhënat bibliografike ndërkombëtare. Ndërkohë që pritet se çfarë vendimi do të marrë presidenti Meta. Presidenca dhe qeveria tashmë janë në luftë me njëra tjetrën për shkak se presidenti Meta ka kthyer mbrapsht çdo propozim të ardhur nga qeveria. Por duke iu referuar qëndrimeve që po mban presidenti, i cili është rreshtuar në krah të opozitës, me shumë gjasa ai do ta kthejë edhe dekretin e Gjinushit.
Home Aktualitet Pedagogët peticion kundër Skënder Gjinushit, i kërkojnë presidentit të mos e dekretojë...