Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë kryer një inspektim në Kishën e Shën Kollit, në fshatin Shelcan, Elbasan. Kisha e Shën Kollit në Shelcan është një kapelë njënefshe, e cila përbën një nga tipologjitë e para ndërtimore të arkitekturës pasbizantine në Shqipëri. Afresket e saj janë realizuar nga dora e një prej personaliteteve dominuese artistike të shek. XVI, Onufrit. Instituti i Monumenteve të Kulturës shkruan se gjatë inspektimit specialistët evidentuan dhe dokumentuan problematika, si nga ana strukturore, ashtu dhe degradime të materialeve. Më pas, do vijohet me hartimin e projektit të restaurimit. Kjo kishë është e njohur për afresket e piktorit te madh shqiptar të shekullit XVI, Onufri. Kisha është njënefëshe, me hajat të vonë nga ana jugore dhe ajo perëndimore. Në naos hyhet nga ana perëndimore dhe jugore. Kisha është me pllaka guri të çrregullta, dhe e mbuluar me çati me kapriata pa tavan, restaurim i vitit 1969. Përsa i përket datimit, duke u nisur nga teknika e ndërtimit me dy dhe tre rreshta tullash horizontale, mendohet se duhet t’i takojë fundit të shekullit XVI. Me përjashtim të murit lindor të kishës, muret e tjera janë të suvatuara, kështu që nuk dallohet teknika e ndërtimit të tyre. Por me interes për vizitorët është, sepse aty gjenden dhe ikonat e Onufrit të pikturuar nën maskë shenjtorësh banorë të trevave të shpatit gjë që shprehet me gjallërinë dhe sytë shprehës të të pikturuarve, me të kuqen karakteristike të Onufrit. Kjo kishë disa herë në vit, por kryesisht në vigjilje të pashkës mbledh disa qindra besimtarë jo vetëm nga Shelcani, por edhe nga fshatrat përreth që nga Kryezjarthi, Trepshenishti e deri nga fshatra të thella të Shpatit. Nëse flasim për objektet e kultit në vendin tonë ato gjithmonë janë vlerësuar nga specialistët për verat e tyre të rralla në trashëgiminë kulturore. Në vendin tonë janë të shumta objektet e kultit, por që herë pas here kanë kërkuar ndërhyrje dhe projekte të restaurimit, pasi kanë rrezikuar jo pak. Trashëgimia kulturore në vendin tonë vijon të jetë në vëmendjen e vizitorëve të shumtë. Vizitorët e huaj në vizitat, që bëjnë në parqet arkeologjike apo monumente të ndryshme të kulturës gjithmonë kanë vlerësuar këtë pasuri të trashëgimisë kulturore.