Nis puna për të plotësuar vendet bosh në Gjykatën e Lartë, ja kriteret për kandidatët dhe strategjia për të shmangur vonesat e vetingut

0
397

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nisur procedurat për të plotësuar vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit ka mbetur me 2 gjyqtarë, ndërkohë që politika e ka shfrytëzuar këtë vakuum për të sulmuar reformën në drejtësi. Në kuadër të këtij debati, KLGJ përmes një vendimi ka miratuar procedurat për të plotësuar vendet vakante në këtë gjykatë. Sipas ligjit, është Këshilli i Lartë Gjyqësor, ai që hapë garën për gjyqtar të Gjykatës së Lartë dhe më pas listën e kandidatëve ia dërgon presidentit, i cili bën emërimin. Kështu në vendimin e siguruar nga gazeta, bëhet me dije se KLGJ do të nisë verifikimin për kandidatët që kanë shfaqur interes për t’u bërë gjyqtar të Gjykatës së Lartë, duke iu bërë vetingun për tre komponentë, sikundër është verifikimi i pasurisë, anës profesionale dhe figurës. Fillimisht KLGJ nis verifikimin e pasurisë, duke i kërkuar kandidatit formularët për deklaratën e pasurisë dhe interesave private, në të cilën kandidati mund të marrë dhe plotësojë në rrugë elektronike këtë deklaratë, përfshirë udhëzimin përkatës për mënyrën e plotësimit të tyre.

Verifikimi i pasurisë

Më pas, sipas asaj që thuhet në vendim, Këshilli i Lartë Gjyqësor nis verifikimin e pasurisë, duke i kërkuar ILDKP-së, si dhe nga organeve të administratës tatimore dhe doganore, me të dhëna mbi pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare që ekzistojnë në emër dhe për llogari të kandidatit dhe personave të lidhur. Ndërkohë që, më pas ILDKP i dërgon përgjigje Këshillit, duke i vënë në dispozicion gjetjet e saj, përfshi edhe formularin e pasurisë që ka plotësuar kandidati pranë ILDKPI. Të njëjtën gjë bëjnë edhe institucionet e tjera, sikundër janë Drejtoria e Tatimeve, Doganave, por edha zyrat e Pasurive të Paluajtshme. Pas kësaj, nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të ILDKPKI-së, atyre të nxjerra nga të dhënat që rezultojnë nga shkresat e dërguara nga organet e administratës tatimore dhe doganore, si edhe nga shpjegimet me shkrim të dhëna nga kandidati, relatori vlerëson nëse ka të dhëna që mund të sjellin skualifikimin e kandidatit, apo jo. Ndërsa më pas, sipas asaj që thuhet në vendim, relatori procedon me përgatitjen relacionit mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të pasurisë dhe e dërgon menjëherë çështjen për shqyrtim përpara Komisionit, i cili vendos për dërgimin e çështjes në mbledhjen e Këshillit. Ky i fundit, vendos nëse kandidati plotëson ose jo kushtet për t’u bërë anëtar i Gjykatës së Lartë. Pra, e gjitha kjo strategji e ndjekur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor bëhet për të shmangur vonesat e vetingut. Thënë më troç, KLGJ i kalon në sitë shumë imtësisht kandidatët për para se t’i emërojë gjyqtar të lartë dhe pastaj dosjet e gjithsecilit ia dërgojnë edhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke ia lehtësuar punën për vetingun.

Verifikimi i figurës dhe anës profesionale

Përveç verifikimit të pasurisë, në vendimi Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se kandidatëve për Gjykatën e Lartë verifikohen edhe për anën profesionale dhe verifikim e figurës. Sa i takon verifikimit të figurës Këshilli i dërgon formularin kandidatit që ta plotësojë. Më pas KLGJ heton imtësisht për të, duke kërkuar informacion dhe dokumentacion nga institucionet kompetente për verifikimin e figurës si nga Byroja Kombëtare e Hetimit, SHISH, Prokuroria, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe çdo organ disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e punës së kandidatit, me të dhëna mbi figurën dhe integritetin e tij. Ndërkohë që, të njëjtën gjë sipas asaj që thuhet në vendim, Këshilli i Lartë Gjyqësor nis verifikimin e imtësishëm edhe për anën profesionale. 

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here