Lenjani: E kam harruar Panuçin, Reja sillet si baba me ne

0
392

Kombëtarja po u kthehet pak nga pak praktikave të De Biazit sa i takon modulit taktik të lojës dhe njëherësh mënyrës së organizimit, sidomos në bashkëbisedimet që trajneri ka me lojtarët. Edhe vetë trajneri Edi Reja e ka pranuar se po tentohet një kthim në skemat dhe mënyrën e komandimit të De Biazit, por më shumë për këtë po binden edhe lojtarët, të cilët i gëzon fakti se Reja sillet si baba me ta dhe nuk përdor “diktaturën” e ish-trajnerit Kristian Panuçi. në konferencën e sotme për shtyp që organizoi përfaqësuesja, dolën para gazetarëve dy lojtarë kosovarë, konkretisht mbrojtësi Mërgim Mavraj, si dhe mesfushori me tipare ofensive Ermir Lenjani, i cili ndodh shpesh që aktivizohet si mbrojtës i majtë. Në rrethanat ku jemi trajneri kërkon saktësi në veprimet taktike dhe këtë gjë e pranuan edhe lojtarët, por dukshëm ata i thurën elozhe Rejës për mënyrën se si sillet me grupin. Lenjani në veçanti foli për të shkuarën aspak të mirë, ku Panuçi e la jashtë Kombëtares, por ai tha se këtë situatë të dobët e kishte lënë pas krahëve dhe tani ishte i impenjuar për të dhënë më të mirën e tij për Kombëtaren, madje me optimizëm se mund të merren pikët e duhura në duelet ndaj Islandës dhe Moldavisë, takime që luhet respektivisht më 8 dhe 11 qershor. Atmosfera në kampin kuqezi është mjaft e mirë dhe këtë e pranuan edhe lojtarët kuqezi në konferencën e shtypit, sidomos Lenjani, që kujtoi se i mungon Kombëtarja dhe ndihej i motivuar maksimalisht të kthehej me fitoren në gjirin e kuqezinjve. Në fakt, që kur trajneri Edoardo Reja publikoi listën e lojtarëve të grumbulluar për këto dy sfida, në sy binte rikthimi i Emir Lenjanit i cili pak kohë më parë shkruante se nuk rikthehet më në Kombëtare deri sa trajner të jetë Kristian Panuçi. Mbrojtësi i Kombëtares ka dalë sot para mediave ku natyrisht është pyetur për këtë temë duke u shprehur se nuk ka dëshirë që të merret me Panuçin dhe gjëra që kanë kaluar, duke shtuar se në atë kohë po ndihej shumë keq nga zgjedhja e bërë. “Panuçi? Nuk dua të flas shumë për Panuçin pasi i kam thënë të gjithë dhe kam thënë të drejtën për mua. Unë personalisht nuk dua të flas se si kam kaluar me Panuçin. Ishte vendim i vështirë dhe më ka ardhur inat që nuk isha në Kombëtare, por Panuçi nuk më duket më shumë shqiptar sesa unë. Kam dhënë më të mirën që momentin që kam veshur fanellën për herë të parë”, u shpreh që në fillim Lenjani, dukshëm i entuziazmuar që është kthyer në Kombëtare dhe i motivuar për të bërë më të mirën e tij. Madje ai komentoi dhe mungesën në përfaqësuese gjatë kësaj periudhe. “Nuk e kam kuptuar pasi po bëja sezon me ndeshje mjaft të mira. Kam bërë 26 ndeshje dhe nuk isha në grumbullim. Nuk e dija çfarë të bëja atë moment por qëndrova i qetë dhe se çfarë ndodhi me Panuçin e kam shkruar dhe e kam shpjeguar”, shtoi Lenjani. Mesfushori i krahut të majtë foli, gjithashtu, për takimin me trajnerin aktual, Edi Reja, për të cilin lojtari ka vetëm fjalë të mira. “Jemi takuar disa lojtarë, Taulanti, Arlindi e të tjerë dhe kemi biseduar e na ka thënë mendimet qa ka për ne. Çdo trajner ka mendimin e vet pasi mund të luaj edhe si mbrojtës i majtë por luaj edhe në më para. Për mua nuk ka shumë problem pasi te Sioni kam luajtur edhe si sulmues. Personalisht më pëlqen të luaj si mesfushor i majtë. Me Islandën do të jetë ndeshje vendimtare dhe e vështirë. Më pas do të shohim për ndeshjen me Moldavinë, pasi ta mbarojmë ndeshjen ndaj islandezëve. Mendoj se janë më dobët se në të kaluarën por mbeten të mirë nga ndeshjet që kanë bërë. Kanë lojtarë që luajnë në liga të forta. Qershori është fundi i sezonit dhe nuk jemi të freskët por nuk është shumë problem për ne. Duhet të japim maksimumin nga vetja dhe të luajmë mirë”, tha Lenjani.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here