Progres raportet vjetore të Komisionit Evropian për vendet kandidate ose që aspirojnë për anëtarësim në BE, janë ndër vrojtimet më objektive dhe të pavarura. Ekspertë të besuar dhe tërësisht të pavarur të BE-së japin mendimin e tyre profesional. Për shtatë vite rresht (2013-2019) Kontrolli i Lartë i Shtetit cilësohet nga Progres Raporti për Shqipërinë si institucion në reformim e sipër, pranë standardeve profesionale të fushës se auditimit më të lartë publik, të quajtura ISSAI. Gjatë këtyre shtatë viteve nën drejtimin e Bujar Leskaj, institucioni e ka rritur ndjeshëm, me herë, numrin e kallzimeve penale, duke provuar të jetë një barrierë dhe frenues i korrupsionit në administratën tonë publike. Progres Raporti 2019 i Komisionit Evropian për Shqipërinë, i publikuar dje nga Komisioni në gjuhën angleze, është në një linjë me vlerësimet e gjashtë raporteve të mëparshëm 2013-2018. “Në vitet e fundit, KLSH ka ndërmarrë masa për të përmirësuar zhvillimin profesional të stafit të tij të auditimit. Institucioni po zbaton planin strategjik të zhvillimit 2018-22 dhe strategjinë e komunikimit 2017-19”, thuhet në Raport. Përafrimi i ri strategjik i KLSH për vitet ne vijim është parë nga ekspertët e Bashkimit Evropian si garanci për zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e pavarësisë së tij. Pse këto vite KLSH ishte i vetmi institucion që guxoi të “sulmonte qiejt”, sikurse ishte rasti i kontratave të dyshimta të Albpetrol, të cilat i denoncoi në Prokurori për humbje me qindra milionë dollarë të Buxhetit të Shtetit nga keqzbatimi i marrëveshjeve hidrokarbure. KLSH është syri profesional i Parlamentit shqiptar, por edhe i qytetarëve, për të zhbiruar abuzimet me fondet dhe me pronën shtetërore.
Gjatë këtyre viteve kanë qenë me dhjetra e madje qindra qytetarët që kanë ngjitur shkallët e këtij institucioni, ose kanë dërguar letra dhe ankesa edhe nëpërmjet e-mail, me shpresë se KLSH mund t’u ndihmojë të zgjidhin hallet e tyre dhe të mbrohen nga padrejtësitë e përfaqësuesve të caktuar të administratës publike. Institucioni me durim dhe në detaje i ka kthyer përgjigje secilit qytetar, edhe në rastet kur zgjidhja nuk ishte kompetencë e institucionit. Në këto raste u ka shkruar drejtuesve të institucioneve që mund t’u zgjidhnin hallet qytetarëve, duke i ndërgjegjësuar për detyrën e tyre. Ndërsa në rastet e kompetencës, ka dërguar audituesit e vet, madje edhe duke ndërmarrë auditime të plota vetëm nga denoncimet e qytetarëve. Hapja e plotë me mediat dhe publikun, si dhe puna e parreshtur për të zhbiruar abuzimet financiare në institucionet dhe projektet shtetërore, sidomos ato me tenderat publikë, ka bërë që KLSH të fitojë respekt në sytë e qytetarëve. Prandaj dhe Progres Raporti i BE-së i vitit 2019 shprehet: “Raportet e auditimit janë përmbledhur në baza tremujore dhe publikohen rregullisht në faqen e internetit të institucionit”. KLSH ka provuar fort të rrisë kapacitetet dhe dijet e audituesve të vet dhe të nxjerrë raporte auditimi sa më profesionale, me program kontrollesh të bazuara në analizën e riskut dhe duke shtuar auditimet e performancës, dritarja më modernizuese e institucionit. “Në vitin 2018, KLSH dha për herë të parë një opinion mbi ekzekutimin e buxhetit të shtetit 2017. Në qershor të vitit 2018, SAI miratoi një qasje të auditimit të jashtëm të bazuar në rrezik. Numri i auditimeve të performancës u rrit në 18 në 2018, në krahasim me 15 në vitin 2017”, thekson Komisioni Evropian në progres raportin e tij.Kryetari i KLSH është rikthyer në detyrë këto ditë, për t’i mundësuar institucionit të realizojë detyrimet e tij kushtetuese, sidomos paraqitjen e raportit për zbatimin e Buxhetit të konsoliduar të shtetit për vitin 2018, pavarësisht vakuumit të krijuar me moszgjedhjen e kryetarit të ri brenda afateve ligjore. Sigurisht që Progres Raporti ka edhe vlerësime me sy kritik dhe rekomandon përmirësime të mëtejshme të performancës së KLSH, kur shprehet se “Cilësia e auditimit duhet të përmirësohet, aktivitetet e auditimit ende nuk i përmbushin plotësisht standardet”, apo “Ndikimi i auditimit është i kufizuar dhe zbatimi në kohë i rekomandimeve të auditimit duhet të përmirësohet”. Këto janë sfida që vetë Kryetari në detyrë Leskaj apo audituesit e institucionit i dinë mirë. Është me kontributin e të gjitha palëve, të institucioneve të tjera të shtetit, sidomos të Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë në bashkëpunimin e ngushtë auditues i jashtëm (KLSH)-auditues i brendshëm publik (Ministri), që kapitulli i 32-të i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me titull “Kontrolli Financiar” mund të përmbyllet me sukses dhe të përbëjë një fazë përshpejtimi të procesit të integrimit të vendit.
Nga Fatos ÇOÇOLI