Amerikanët kanë nxjerrë të tjera dokumente sa i takon situatës politike gjatë regjimit komunist. Në vitin 1949 në SHBA u krijua Komiteti për Shqipërinë e Lirë, i përbërë nga figura të njohura shqiptare, kryesisht nga Balli Kombëtar, që luftonin në emigracion kundër Hoxhës. Në disa letërkëmbime të HSBA, tregohet shqetësimi për krijimin e këtij komiteti.
Sekretari i shtetit për ambasadën në Itali
Më poshtë është teksti i zyrës së jashtme të Londrës për ambasadorin Peake në Beograd me të cilin ata na kanë sugjeruar të lidhemi: “Unë sugjeroj që nëse ju kontaktojnë, ju t’i thoni autoriteteve jugosllave se Komiteti Shqipëria e Lirë ka aprovimin tonë në përgjithësi, por nuk e konsiderojmë si një qeveri në ekzil, dhe as ata nuk pretendojnë të jenë të tillë. Nëse dëshironi mund t’i përmendni diçka të tillë dhe Hungarisë, Rumanisë dhe vendeve të tjera komuniste që gjenden këtu në Londër ose në SHBA. Ne e mirëpresim këtë si një pikë grumbullimi nëse regjimi i Hoxhës shembet dhe e zhyt Shqipërinë përsëri në kaos, gjë që do të kërcënonte paqen ndërkombëtare. Ju gjithashtu duhet të mohoni se krijimi i Komitetit të Shqipërisë së Lirë nënkupton masa aktive kundër qeverisë aktuale shqiptare”. Ju sugjerojmë të konsultoheni me Peake nëse njoftimi duhet të ndahet me jugosllavët.
Telegrami i 26 gushtit për ambasadat në Romë, Athinë, Ankara, Stockholm, Paris e Vienna, thuhet se krijimi i Komitetit Shqipëria e Lirë është bërë me iniciativën e liderëve anti-komunistë shqiptarë në ekzil që shpresojnë te rikthimi i lirisë dhe pavarësisë në Shqipëri. Krerët e misionit janë autorizuar të bëjnë të ditur se qasja e SHBA ndaj grupit është paralele me ato ndaj komiteteve të tjera të liderëve në ekzil nga vendet e Evropës Lindore.
Uashington, 29 gusht 1949
Memorandum bisede nga nënsekretari i shteti (Rusk)
Ambasadori grek erdhi në takimin e kërkuar prej tij për këmbimin e pikëpamjeve para nisjes së tij në Paris për konsultime me ministrin e jashtëm Tsaldaris. Ai ishte i interesuar në qëndrimin tonë për rekomandimin e konsultimeve në OKB mbi eliminimin e rrezikut shqiptar ndaj pavarësisë dhe integritetit të Greqisë. Unë i thashë ambasadorit se të paktën aktualisht nuk jemi të gatshëm të pranojmë sugjerimin pasi nuk e dimë se ku mund të na çojë. Kjo ndoshta na detyron të ulemi në tavolinë me kombet e tjera pa pasur një kurs veprimi për të propozuar. Eksperienca e mëparshme ka treguar se në takimet ndërkombëtare kombet e tjera shikojnë nga SHBA për propozime ide veprimi, dhe në rastin aktual unë nuk mendoj se mund të këmbejmë opinione, kështu që i thashë ambasadorit se mund ta diskutojmë përsëri çështjen pas kthimit të tij nga Parisi. Dendramis pyeti më pas nëse kishte diçka tjetër që mund t’i thosha në lidhje me planet për Asemblenë. Unë i thashë se kishim punuar për këtë prej disa kohësh por ende nuk kishim finalizuar asgjë. Jernegan tha se mënyra për të gjetur qasjen ndaj çështjeve të brendshme greke ishte qartësimi i qëndrimit të qeverisë prej fillimit. Në lidhje me çështjen e guerilasve dhe bisedimet me ta, unë i kujtova se asambleja e OKB e kishte refuzuar propozimin. Këtë çështje nuk e diskutuam më. Ambasadori sugjeroi marrjen në konsideratë të ndarjes në komitete të veçanta të grupit të UNSCOB për çështjet shqiptaro-greke, bullgaro-greke dhe jugosllavo-greke. Nëse diskutimet mes katër fuqive të mëdha dhe shteteve rajonale nuk japin rezultat, atëherë nuk do të kemi një raport politik të mazhorancës, por do të punojmë për një rezolutë të re ku Asembleja e dënon hapur Shqipërinë. Në këtë kohë mund të propozojmë gjithashtu krijimin e komiteteve të veçanta të sugjeruara nga ambasadori, që do të zëvendësojnë agjencinë UNSCOB. Ne mendojmë se nuk duhet të jetë vetë UNSCOB që rekomandon ndryshimin. Ambasadori pyeti nëse besojmë se është një ide e mirë nxitja e Jugosllavisë për mbylljen e një marrëveshjeje kufitare me Greqinë e tipit të propozuar nga komisioni Evat. Duke iu referuar njoftimit për krijimin e “Komitetit të Lirë Shqiptar”, Ambasador Dendramis shprehu shqetësimin se qëllimi i deklaruar i komitetit se do të punojë për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, mund të shkaktojë probleme në Greqi për pretendimet e Eiprit të Veriut. Ai tha se kjo mund të shkaktojë probleme gjithashtu në Jugosllavi pasi Shqipëria ka pretendime territoriale ndaj atij vendi. Ai më tej kujtoi sipërmarrjen italiane që me kërkesën tonë paralajmëroi qeverinë shqiptare kundër ndihmës për guerilasit komunistë grekë, dhe u ankua se kjo mund të sjellë rikthimin e influencës italiane në Shqipëri, si në kohën e paraluftës. Ai tha se besonte se ishte e dëshirueshme që as Italia e as Jugosllavia e as Greqia nuk duhet të ushtronin influencë të paarsyetuar në Shqipëri. Jernegan tha se ishte dakord dhe se kjo ishte dhe pikëpamja e Departamentit të Shtetit. Por ai shtoi se nuk mendonte se ajo që i kishim sugjeruar italianëve kishin rrezik për dominim të vendit prej tyre. Duke u larguar Ambasadori pyeti për opinionin e Jernegan nëse ishte e pranueshme deklarimi i qëndrimit të Greqisë në fjalimin e hapjes së Asemblesë së OKB. Ai tha se deklarata të tilla mund të hidhnin themelet për diskutime të mëtejshme informale, ose ato që quheshin “marrëveshje korridoresh”, të cilat sillnin vonesa në vendimet e Komitetit përkatës. Jernegan tha se besonte se ky sugjerim kërkonte marrje të hollësishme në konsideratë. Ambasador tha se do të vizitonte përsëri Departamentin menjëherë pas kthimit nga Parisi.
Athinë, 2 shtator 1949
Përfaqësuesi i SHBA në OKB për sekretarin e shtetit (Dreu): Pranoj se në përgjithësi jam i zhgënjyer me propozimet e Departamentit, me përjashtim të propozimit të parë në lidhje me konsultimet e riafrimit sipas raportit të 1949. Ato lënë pa përmendur çështjen e guerilasve komunistë që vijnë nga Shqipëria apo izolimin e atij vendi për aktivitetet ilegale. Unë e kuptoj vështirësinë e gjetjes së një rekomandimi të realizueshëm dhe pranoj paaftësinë time për t’ju dhënë një përgjigje. Por gjithsesi besoj se rekomandimet e propozuara nga Departamenti përfaqësojnë një tjetër pikë të ulët për shkëmbimet tona. Megjithëse do të isha i pari që do të përçmoja këtë gjest të zbrazët dramatik, ne mund ta bëjmë këtë lëvizje si propozim para Këshillit të Sigurimit që Greqia të sjellë fqinjët e saj veriorë, në veçanti Shqipërinë para Gjyqit Ndërkombëtar duke kërkuar reparacione të luftës së shkaktuar nga guerilasit komunistë. Ne mund t’i rekomandojmë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të tërheqin marrëdhëniet diplomatike me Tiranën, ose të autorizojmë agjencinë aleate UNSCOB të zgjerojë bllokadën kufitare me Shqipërinë dhe atë detare të mjeteve nga Britania, SHBA e Greqia. Duke parë sugjerimet e avancuara në korrik nga Sofia ne mund të rekomandojmë se është përcaktuar tashmë se Shqipëria e Bullgaria po kryejnë një sjellje lufte të padeklaruar kundër Greqisë me anë të përdorimit të mercenarëve të huaj (grekë). Megjithëse ideja mund të duket ekstreme, mendoj se komiteti duhet të shkojë shumë më tej nga sa ka sugjeruar Departamenti edhe nëse rezoluta eliminon një pjesë të rekomandimeve. Përfaqësuesi australian ka qarkulluar një dokument ku i bëhet thirrje Shqipërisë e Bullgarisë për kthim te Greqia të guerilasve që kanë kërkuar strehim në territorin e tyre. Ku apel do të përfshinte të gjitha kombet në shtytjen për bashkëpunim të këtyre vendeve, i kërkon qeverisë greke të caktojë zonat e përshtatshme të sigurisë sipas kushteve të OKB. Dokumenti australian argumenton se morali i guerrilasve është tashmë i ulët dhe ata do të mirëprisnin një shans për të hequr dorë nëse u garantohej trajtim i mirë. Kjo skemë nuk përfshin negociata me guerilasit por vetëm me Shqipërinë, Jugosllavinë e Bullgarinë, dhe i ofron këtyre vendeve një rrugëdalje nga situata e sikletshme politike dhe ekonomike që ka sjellë strehim i zgjatur i njësiteve guerile greke. Me gjithë përplasjen e mundshme me planet greke të amnistisë dhe nevojës për të caktuar detajet e fundit të planit, unë mendoj se idesë duhet t’i jepet konsiderata e duhur, pasi ofron një qasje të re dhe mbështetja e zellshme australiane do të fitonte simpatinë e shumë delegacioneve të tjera të vendeve liberale. Kjo do të ishte tërheqëse dhe për jugosllavët madje dhe për Bullgarinë e cila kohët e fundit ka treguar interes dhe ka sinjalizuar se është e lodhur nga kjo temë. Ndërsa mendësia shqiptare është e diktuar nga Moska dhe mund të rezultojë më pak e hapur. Shpresoj që Departamenti të japë sa më shpejt udhëzimet për veprimin paraprak dhe reagimet. Nëse mendoni negativisht për idetë e mia unë e pranoj se kam kundërshtime serioze dhe kërkoj marrje në konsideratë të propozimit të Australisë.
Athinë, 2 shtator 1949
Përfaqësuesi i SHBA në OKB për sekretarin e shtetit: Nuk ka dyshim se e ardhmja e luftës në Greqi qëndron në eliminimin e kërcënimit të guerilasve komunistë që strehohen në Shqipëri. Prezenca e tyre e vazhdueshme përbën kërcënim për sigurinë e Greqisë si dhe rritje të shpenzimeve ekonomike e politike të SHBA. Edhe pse numri i tyre mund të jetë tashmë më i vogël se llogaritjet fillestare, prezenca e kësaj force është njëlloj shqetësuese. Gjithsesi unë nuk jam dakord me nisjen e një tjetër ofertë tre-palëshe për Tiranën siç ka propozuar qeveria greke.
Unë mbaj mend mungesën e plotë të efektit nga nisma e ngjashme e shtatorit edhe pse rrethanat janë pak më të ndryshme. Kam gjithashtu në mendje kundërshtimet e Departamentit për hapje të tilla në lidhje me prezencën e të burgosurve grekë të luftës në Shqipëri, siç është shprehur në telegramin për Athinën më 29 tetor, 1948, kundërshtime të cilat unë ende i konsideroj të vlefshme. Unë jam dakord me qëndrimin se një veprim i tillë duhet të anashkalojë OKB pasi nuk i përshtatet politikës sonë të zakonshme të përdorimit të makinerisë së OKB për të gjetur zgjidhjen e problemit grek. Unë gjithashtu nuk jam optimist derisa zhvillimet e përgjithshme të drejtojnë regjimin në Shqipëri drejt Perëndimit. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se infiltrim rus në vend raportohet se është total dhe ndoshta i majftueshëm për të mos u lëkundur në linjën e tyre. Tashmë duket se ndërhyrja e bllokut sovjetik kundër Titos do të kryhet nga baza shqiptare. Nëse veprimi i menduar do të kryhet, në asnjë mënyrë nuk duhet të bëhen referenca ndaj grupit të sapokrijuar të Komitetit të Shqipërisë së Lirë të disidentëve në ekzil. Referenca të tërthorta mund të bëhen ndaj tyre në gjuhën e tipit si “vazhdimi i veprimeve të tilla nga qeveria e Shqipërisë do të çojë vetëm në stigmatizimin e regjimit në OKB si një grup pa pretendime për anëtarësi në OKB dhe komunitetin e kombeve. Unë sugjeroj më tej se është e paarsyeshme të presësh që qeveria shqiptare të nisë internimin e mijëra guerilasve grekë që po strehon. Besoj se masa praktike për t’u sugjeruar është largimi i tyre vullnetar, ose në Greqi sipas kushteve të pranuara prej tyre ose në vende të tjera jo-ballkanikë. Mund të sugjerohet ofrimi i impianteve të OKB për kompletimin e largimeve.