Aksioni kundër qeverisë vijon të thellojë divergjencat midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryetari i PD, Lulzim Basha kohët e fundit ka dhënë sinjale tërheqje nga dhuna, ndërsa po ashtu është shprehur i gatshëm të dialogojë me qeverinë, në mënyrë që t’i jepet fund krizës politike që ka kapluar vendin prej më shumë se 4 muajsh. Por flirtet e shumta mes kreut të opozitës dhe shefit të qeverisë, nuk pëlqehen nga Kryemadhi dhe Berisha, të cilët janë shprehur kategorikisht kundër një pakti të dytë Rama-Basha dhe vijon të ushtrojnë presion për të futur vendin në kaos. Përmes një statusi në rrjetet sociale, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka ritheksuar dje edhe një herë vendosmërinë e saj se opozita nuk tërhiqet nga kauza e tyre, duke i dërguar kështu një mesazh Bashës që të mos ulet me Ramën dhe të vijojë betejën. Kryemadhi theksoi se Shqipëria do ta fitojë integrimin kur të largohet njeriu që e mban peng atë, i cili sipas saj, është kryeministri Edi Rama. “Progres Raporti i Shqipërisë është një arsye më shumë për opozitën dhe gjithë qytetarët shqiptarë të mos tërhiqen në kauzën e tyre, të drejtën legjitime ku vlerat europiane fillojnë me votën e lirë dhe mundësinë për të zgjedhur! Unë jam e bindur se të gjithë bashkë do ta fitojmë integrimin, kur të largojmë një herë e mirë, atë që sot mban peng këtë aspiratë të madhe, atë që mban peng të ardhmen e të rinjve tanë”, deklaroi Kryemadhi.
Berisha thirrje për dhunë
Më i ashpër është treguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Duke folur në televizionin “T7”, Berisha i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të tërhiqe, pasi në të kundërt siç theksoi ai, përplasja civile do ta rrafshojë atë. Në kontekst, ish-kryeministri u shpreh se përballë arrogancës së Ramës, ka vetëm një zgjidhje dhe ajo është përmbysja e tij me dhunë. “Rama ose do të largohet nga kryeministër, ose këtu do të ketë një përballje shumë të madhe, përmasat e të cilës nuk jam në gjendje t’i parashikoj. Rama është i humbur në këtë betejë 100%. Po t’i vijë, po të kthjellohet nga paranoja që vuan ai ikën sa më parë nga ai post në mënyrë që të mos pësojë një fund të tmerrshëm të cilin nuk them se nuk e meriton. Edi Rama ia ka bërë Shqipërisë gjëmën sepse ka prekur zgjedhjet. Ai strehohet nëpër tunele, por nuk është kjo zgjidhja sepse edhe atje do të shkojnë ta kapin. Protesta e datës 31 do të jetë e jashtëzakonshme, nuk do të ndalen. Nuk mundet ai të varrosë pluralizmin. Shqipëria është në gjendje kritike. Ai thotë e kam opozitën në Parlament, por nuk e varros dot pluralizmin. Vendin opozita e ka në rrugë. Shqiptarët nuk do ta kursejnë nëse vijon në këtë rrugë”, deklaroi Berisha. Pra, duket qartë që kjo deklaratë e Berishës është një mesazh i qartë për Bashën, në kushtet kur ku i fundit është distancuar nga dhuna.
Kreu i PD braktis skenarët e dhunës
Pavarësisht presioneve të Kryemadhit, madje edhe Berishës, kryedemokrati Lulzim Basha duket se ka braktisur skenarët e dhunës. Janë disa arsye që tregojnë mësëmiri këtë gjë, sikundër janë takimet e tij me qytetarët por edhe me vartësit e tij. Në të gjitha takimet, retorika e Bashës, ka qenë më e moderuar se ajo e pak kohëve më parë, duke dëshmuar se është kundër dhunës. Ndërkohë që, të njëjtën linjë lideri demokrat ka mbajtur edhe me vartësit e tij. Në disa mbledhje që ka zhvilluar me ish-deputetët, krerët e degëve dhe grupseksioneve të PD, Basha ua ka bërë të qartë se ai është kundër dhunës dhe se e rëndësishme për të është pjesëmarrja e sa më shumë njerëzve në protestën e radhës të opozitës, sikundër është ajo që pritet të mbahet të dielën e 2 qershorit para Kryeministrisë. Pra, përmes këtyre lëvizjeve Basha tregon qartë se ai është distancuar nga skenarët destabilizues të Berishës dhe Kryemadhit.
Rigels Seliman