Komedia “Tango” me regji nga Artan Imami vjen premierë për publikun në skenë te “arTurbina”. Një shfaqje që sjell në skenë dhe dy aktorë të njohur Florjan Binaj dhe Ledio Lako, dhe nën regjinë e Artan Imamit për publikun vjen një komedi gazmore. Në komedinë “Tango” është historia e një djali, që vuan sepse e ka lënë e dashura, dhe një djalë tjetër që do ta lërë të dashurën e tij. Shfaqja do të vijë për publikun deri mbrëmjen e së dielës në skenë, ndërsa sjell si protagonistë dy aktorë të njohur që po marrin duartrokitjet nga publiku këto ditë. I vlerësuar në jetën e tij artistike Artan Imamin këtë herë e gjejmë si regjisor në një komedi. Duke folur për shfaqjen te “arTurbina” ai shprehet se “Tango” tregon marrëdhënien e dy shokëve të ngushtë, dhe tema kryesore është ajo e miqësisë midis tyre, si dhe marrëdhënieve që kanë ata me të fejuarat respektive, marrëdhënia që kanë ata me lirinë e tyre individuale, me pasojat që sjell një divorc i padëshiruar dhe një divorc nga shoku tjetër i dëshiruar. Për regjisorin Artan Imami kjo shfaqje edhe pse ka gati ngjyrat dhe fjalorin e kabaresë vjen në skenë si një komedi gazmore. “E gjitha është një komedi gazmore e bazuar në lojën e aktorëve, sepse është shkruar nga njerëz që jetojnë me teatrin. Ka ngjyrat edhe fjalorin e gati kabaresë, por është komedi klasike. Kështu që e bënte paksa të detyrueshme edhe marrjen në shfaqje të dy aktorëve, që janë nga më të suksesshmit në show-n e “Portokallisë”, në show-n komik që ne kemi tip kabareje”, u shpreh regjisori Artan Imami. Kjo shfaqje që do të vazhdojë deri në datë 2 qershor në “arTurbina”, në 3 qershor do të jetë tek amfiteatri i liqenit të Tiranës. Por regjisori Artan Imami tregon mes të tjerave se me nisjen e sezonit të ri artistik kjo vepër do të rikthehet sërish në skenë për publikun. “Ne do ta japim këtë shfaqje dhe në datë 3 qershor te amfiteatri i Liqenit të Tiranës, dhe duke qenë se dy aktorët do të jenë me turne gjatë verës ne do ta rikthejmë në skenë këtë komedi në muajin shtator”, vijon më tej regjisori Artan Imami.
Puna si regjisor
Regjisor në shfaqje Artan Imami shprehet se ky është një projekt që mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës, si dhe të tjerë donatorë privatë. Por sipas tij kjo shfaqje për ta sjellë në skenë ka qenë duke pasur parasysh dhe vështirësitë me buxhetet. “Meqenëse të gjithë projektet private me buxhetet minimale që kanë nuk mbajnë më tepër se sa dy ose tre aktorë duhet të jesh i detyruar, që të zgjedhësh veprën. Zhanri komedi që zgjidhet, mund të jetë e përballueshme dhe nga ana financiare. Më pas të bashkosh ata pak aktorë që kemi të suksesshëm në komedi me impenjimet e tyre duhet të gjesh dhe një material dramaturgjik të mirë dhe mundësisht të flasim për tema njerëzore, të kuptueshme dhe të përshtatshme edhe për Shqipërinë”, tregon regjisori Artan Imami. Me një eksperiencë të gjatë në fushën e teatrit Artan Imami shprehet më tej se edhe pse e sjell këtë vepër në skenë kjo vjen edhe falë viteve që është angazhuar me teatrin. “Një njeri që ka jetuar 25 vjet në skenë sigurisht që ka kulturën për të vënë një shfaqje. Nuk është problemi se ambiciet e mia janë në këtë fushë, por në këtë mes edhe si producent jam i detyruar, që atë çka dua të arrij qoftë si vënie në skenë, qoftë dhe në përzgjedhje të materialit dramaturgjik mund ta bëj duke qenë regjisor, sepse nëse nuk jam nuk e vendos dot vetë këtë”, pohon mes të tjerave Artan Imami, regjisor në shfaqjen teatrore “Tango”.
Nga Julia Vrapi