Gjykata e Apelit të Tiranës ka pranuar kërkesën e Arben Grorit për rishikimin e vendimit dhënë ndaj tij. Kur kanë kaluar 18 vite nga vendimi me burg përjetë ndaj tij togat e zeza kanë pranuar kërkesën e Grorit dhe kanë vendosur rishikimin e vendimit dhënë ndaj tij si dhe gjykimin e tij në fazën fillestare nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Ky vendim i jep shpresë Grorit që të shpëtojë nga burgu i përjetshëm për arsye se atij i jepet e drejta të kërkojë gjykimin e shkurtuar dhe nëse gjykata e pranon, dënohet minimumi me 25 vjet heqje lirie. Nëse togat e zeza të kryeqytetit marrin këtë venim atëherë Arben Grori do të lirohet pasi pjesën më të madhe të dënimit ai e ka kryer tashmë, për shkak se Grori mbahet i izoluar prej 30 prillit 2001. Vendimi për rihapjen e çështjes dhe gjykimin e saj në themel është marrë në 20 maj nga gjyqtarët Alaudin Malaj dhe Fatmira Hajdari, të cilët kanë qenë pro kërkesës së Grorit për rishikimin e vendimit të dënimit të tij me burg përjetë. Ky vendim erdhi katër muaj pasi shoku i tij Gert Gjinarari u lirua me kusht nga gjykata e Korçës. Arben Grori asnjëherë nuk e pranoi vrasjen e Zyberit, por pavarësisht kësaj ai ndodhet pas hekurave të burgjeve të sigurisë së lartë prej më shumë se 18 vitesh. Vendimi është kundërshtuar pa fund nga Grori, i cili nuk ka reshtur së kërkuari në gjykatë rishqyrtimin e vendimit penal që e dënonte atë me burgim të përjetshëm. Më 30 prill 2001, Arben Grori u ndalua në Shqipëri mbi bazën e fletë-arrestit të lëshuar më 16 shkurt 2001 nga gjyqtari hetues i Gjykatës së Apelit të Milanos. Akuza lidhej me përfshirjen e ankuesit në një organizatë kriminale the me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike, për të cilën është dënuar me 15 vite burgim. Por teksa Grori, ndodhej në qeli nga Italia në Shqipëri vjen një vendim tjetër, pasi gjykata e Pestë Penale e Milanos në Republikën e Italisë me vendimin e datës 21 dhjetor 1999 ka vendosur deklarimin fajtor dhe dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit shqiptar Arben Grori, pasi ai së bashku me shokun e tij Gert Gjinarari kanë vrarë me armë zjarri Naim Zyberin. Autoritetet e vendit fqinj dërguan në vendin tonë dosjen, dhe për këtë Gjykata e Tiranës pranoi vendimin duke e dënuar me burgim të përjetshëm Arben Grorin.
Hetimet
Sipas dosjes hetimore, përplasjet mes Grorit dhe Naim Zyberit erdhën në fillim të viteve ’90-të në Tiranë, dhe më tej përfunduan me përleshje të armatosura dhe viktima deri në vendin fqinj, Itali. Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça dhe Artur Grorit. Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjenerali. Zyberi në vitet e para të ’90-s kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët, sipas mënyrës që kishin vetëpërcaktuar, bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit. Ai u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të “Rrugës Bardhyl”. Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë. Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës. Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos. Fakti që Zyberi mbeti gjallë nuk bëri që autorët të dorëzohen. Sipas vendimit, më datë 6 gusht Gerd Gjenerali, që mbante një tufë me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi dhe e qëllojnë aty për vdekje.
Elvis Myrta