Zbardhet progres-raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Ditën e djeshme Komisioni Evropian, rekomandoi hapjen e negociatave për vendin tonë. Në raport vlerësohet puna e bërë deri tani nga Shqipëria në disa drejtime, ndërsa pasqyrohet edhe situata politike. Patjetër që theksi ndalet veçanërisht tek ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit si edhe tek ndëshkimi i të korruptuarve. Sa i takon konstituimit të SPAK dhe BK, BE i ka vënë ultimatum Shqipërisë që ata të ngrihen brenda këtij viti. “Gjatë vitit të ardhshëm, Shqipëria duhet që në veçanti: të avancojë edhe më shumë me procesin e rivlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët; të bëjë progres me rekrutimin e magjistratëve të rinj me qëllim që të mbushen vendet vakante të krijuara për shkak të vetingut; të përfundojë sa më parë ngritjen e organeve të specializuara hetimore dhe gjyqësore kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK e BKH). Të sigurojë mekanizma të përshtatshëm për të monitoruar dhe të sigurohet mbështetje e vazhdueshme financiare për zbatimin e reformës në drejtësi”, thuhet në raportin e siguruar nga gazeta.
Hetime në nivel politik
Për shkak të ultimatumit të vënë nga Bashkimi Evropian, SPAK dhe BKH pritet të ngrihen brenda verës. KLP, KLGJ dhe KPK do të avancojnë me përparësi në këtë drejtim me qëllim që të mos ketë më asnjë vonesë dhe organet e reja që do të merren me korrupsionin në nivele të larta të fillojnë nga puna. Ngritja e SPAK dhe BKH është kyçe për ndërkombëtarët sepse sipas raportit të BE, vetëm kështu mund të luftohet korrupsioni. Duke qenë se këto dy struktura pritet të ngrihen brenda verës, në progres-raport paralajmërohen edhe hetime e konfiskime pasurish në nivel politik. “Procesi për ngritjen e SPAK dhe BKH po avancon sipas afateve ligjore. KLP ka kryer një verifikim paraprak të përmbushjes së kritereve për të gjithë kandidatët për SPAK. KLP ka paraqitur tashmë listën e kandidatëve në KPK, i cili po kryen hetimet relevante të verifikimit. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të: Përparojë më tej me krijimin e një regjistri për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale të vëna nga veprat penale të korrupsionit; të thellojë më tej hetimet financiare; të finalizojë procedurat për themelimin e organeve të specializuara anti-korrupsion, të përbërë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Byroja Kombëtare e Hetimeve për të ndëshkuar korrupsionin e nivelit të lartë deri në nivel politik; të vazhdojë të përmirësojë aksesin në regjistrat kombëtarë elektronikë për autoritetet e zbatimit të ligjit. Përgjigjet e drejtësisë kundër korrupsionit të nivelit të lartë kanë filluar të jenë konkrete dhe kjo duhet të vazhdojë”, thuhet në raport. Këto ultimatume të vëna nga BE paralajmërojnë një furtunë në radhët e pushtetarëve të korruptuar shqiptarë gjatë këtij viti. Roli i SPAK dhe BKH do të jetë kyç në këtë drejtim.
Situata politike
Në progres-raportin e KE një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe situatës politike në vend. Aty përmendet bojkoti i vazhdueshëm i opozitës gjatë 2018 si edhe djegia e mandateve. Në këtë aspekt, BE i “tërheq veshin” opozitës sepse e akuzon se përmes sjelljes së saj ka ndikuar negativisht në punën e Parlamentit. “Aktiviteti parlamentar u prek nga një bojkot i zgjatur nga opozita, i cili filloi në shtator 2018. Në shkurt të vitit 2019, me përjashtime shumë të kufizuara, deputetët nga partitë opozitare dorëzuan mandatet e tyre. Procesi i zëvendësimeve të tyre përmes KQZ-së është në vazhdim. Bojkoti i përsëritur i opozitës ka ndikuar negativisht në punën e Kuvendit. Që nga shtatori 2018, opozita mori pjesë në shumë pak aktivitete parlamentare, kryesisht u arrit konsensusi vetëm për një numër të kufizuar ligjesh (8). Kjo ka çuar në vonesa në miratimin e reformës zgjedhore”, theksohet në raport. Aty përmendet edhe debati për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Komisioni Evropian thekson në progres-raport se tashmë ka një datë të dekretuar nga presidenti. Po ashtu, aty nënvizohet se për partitë opozitare ka skaduar afati për t’u regjistruar në zgjedhje. “Presidenti i Republikës ka lëshuar një dekret për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor 2019. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) filloi aktivitetet përgatitore lidhur me këtë proces zgjedhor. KQZ-së akoma i mungojnë dy anëtarë, të cilët do të emërohen nga opozita, ndërsa anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste u zgjodhën në tetor 2018. Partitë kryesore të opozitës kanë vendosur të mos paraqesin listat e tyre të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme lokale. Afati i fundit për regjistrimin e palëve ka skaduar”, thuhet në raport.
MimozaIbra








































