“Kreolët e Ballkanit”, në festivalin teatror “Mirëdita, dobar dan!”

0
409

Vepra teatrore “Kreolët e Ballkanit” shkruar dhe me regji nga Enver Petrvoci më 31 maj do të jetë në Beograd, ku është ftuar në festivalin “Mirëdita, dobar dan!”. Vepra në dhjetor të vitit që lamë pas u shfaq premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Shkruar dhe me regji nga Enver Petrvoci në vepër luajnë aktorë nga Kosova, por dhe nga Shqipëria. Rolet në dramën “Kreolët e Ballkanit” regjisori Enver Petrovci ia ka besuar aktorëve si Agron Shala, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Kriks Dumo si dhe Vanesa Petrovci. Skenografia është e realizuar nga Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, as/regjisor Enkeleda Fishekaj. Kjo dramë është e shkruar nga autori dhjetë vite para luftës në Kosovë, duke i parashikuar saktë ngjarjet e kësaj lufte ndodhur para dhe pas saj. Autori dhe regjisori Enver Petrovci ka bërë pjesë të këtij teksti çdo emocion njerëzor si dashurinë, lumturinë, hakmarrjen, tradhtinë, por edhe shpresën për një botë më të mirë, për një atdhe më të dashur i cili ka nevojë të ul në prehrin e tij: dashurinë, fitoren dhe lumturinë. Për autorin  dramës Enver Petrovci në këtë botë disa luftojnë për tokën dhe të tjerë për shpirtin. “Bota përbëhet prej të papërcaktuarave, disa luftojnë për shpirtin dhe të tjerë për tokën” ka pohuar më herët autori Enver Petrovci. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me dramën shqiptare “Kreolët e Ballkanit” u përfaqësua në janar të këtij viti në festivalin “Talia e Flakës 2019”, që u zhvillua në qytetin e Gjilanit në Kosovë. Edhe për këtë festival që zhvillohet në Beograd, është vetë teatri që lajmëron këtë prezantim në ditën e fundit të muajit maj. Me një jetë artistike në skenat e Kosovës, Shqipërisë dhe më gjerë si regjisor dhe aktor Enver Petrovci është nga emrat e artit më të vlerësuar. Jo vetëm me teatrin, por dhe me kinemanë ka dhënë një kontribut të vlerësuar. Me role nuk ka munguar në filmat në Kosovë dhe në Shqipëri, që mbajnë emrin e regjisorëve të njohur. Petrovci është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here